Tjetër rast dhune në futbollin shqiptar, arbitri detyrohet të nxjerrë pesë kartona të kuq pas sherrit në fushë

4 Nëntor 2019, 18:00 | Përditesimi i fundit: 2019-11-04 18:23:48

Duhet të jetë fundjava e futbollit dhe e spektaklit në fushë, por e kundërta ka ndodhur këtë të shtunë e të dielë në vendin tonë. Së fundmi është bërë publik rasti i një sherri në Kavajë mes futbollistëve të ekipeve të rinj të Besës dhe Apolonisë, të cilët bëjnë pjesë në Grupin B.

Në minutën e 75 kur rezultati ishte me shifrat 1-0, një lojtar i Apolonisë ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj futbollistit Lila të Besës. Kaq mjafton që mes dy skuadrave të plasë një sherr në fushë, i cili fillimisht nis me shtyrje, ndërsa nuk kursehen as goditjet.

U desh ndërhyrja e dy stafeve të ekipeve dhe jo vetëm për të qetësuar situatën pas tre minutave. Ndërkohë si pasojë e asaj që ndodhi në fushë, gjyqtari Dorian Maleta, pasi ndoqi me vëmendje përplasjet e lojtarëve, vendosi të nxjirrte 5 herë nga xhepi kartonin e kuq. Tre herë u ndëshkua Apolonis, ndërsa dy herë Besa. Gjithsesi forcat do të barazoheshin në fushë kur në minutën në vijim futbollisti Hoxha mori kartonin e dytë të verdhë.

Më herët gjatë fundjavës rastet e dhunës u shfaqën në një tjetrër takim të moshave, bëhet fjalë për Butrintin me Orikun, ku futbollistët sarandiotë së bashku me tifozët vendas dhunuan kundërshtarët. Ndërkohë një tjetër rast I rëndë u raportua në Këlcyrë ku si pasojë e dhunës futbollisti i Maliqit Arlind Xaka përfundoi në urgjencë në spitalin e Tiranës.