Tjetërsimi i pronave në 'Rodon'/ 12 mijë m2 tokë në emër të pronarit të Shpresa Al

29 Tetor 2019, 17:57

TIRANE- Detaje të reja kanë dalë nga tjetërsimi i 68 mijë metra katror tokë te Kepi i Rodonit. Burime bëjnë me dije se 12 mijë metra katrorë tokë është e regjistruar në emer të pronarit të Shpresa Al Lush Osmani përmes një leje legalizimi. Mësohet se 68 mijë metrat katrorë të tokës janë të ndara në 7 parcela.

Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se hetimet kanë nxjerrë se kjo tokë ishte e ndarë në të paktën 8 banorë të fshatit Bizë. Një pjesë e këtyre banorëve nuk ka pasur djeni se në emer të tyre ka qenë e regjistruar tokë shteti pasi disa nga telefonatat tek banorët e fshatit Bizë për shitur sipërfaqen që ishte tjetërsuar në emër të tyre bëheshin nga Tom Bushaj, vëllai ish- kreu të komisionit të ndarjes së tokës.

Dy ditë më parë, Gykata e Durrësit caktoi 'arrest me burg' për 9 persona mes tyre edhe Ardian Iliazaj ish-drejtori i Kadastrës së Durrësi që u shkarkua "live" nga kryeministri Edi Rama. 

Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Durrësit pak ditë më parë, u bë me dije se disa ish-zyrtarë janë përfshirë në një skemë kriminale të tjetërsimit të tokave në Kepin e Rodonit, në fshatin Bizë.

Këta punonjës, mes tyre drejtues, juristë, hartograf, topograf, specialist duke shpërdoruar detyrën kanë tjetërsuar këtë hapësirë nga tokë shtetërore pa frut në tokë are, ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit.

Këtë sipërfaqe toke ata ia kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit. Gjithçka është zbuluar nga një kontroll që është kryer në vitin 2018, ku janë vërejtur paligjshmëri në regjistrimin e dokumenteve që shërbeu si pikënisje për të çelur hetimet. 

Drejtori i Policisë së Durrësit Lorenc Shehu bëri të ditur se për këtë rast janë sekuestruar shumë prova materiale, ka përgjime telefonike, filmime përgjime ambientale dhe vëzhgime, e ndërsa tha se ndaj të gjithë personave të arrestuar ka filluar hetim pasuror. 

Ky institucion është vendosur në shënjestër të prokurorisë që po e heton prej disa muajsh. Më herët u arrestua, por më pas u lirua kreu i Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula me akuzën se ka tjetërsuar prona në Gjirin e Lalzit, megjithatë duhet theksuar se ky operacion nuk ka asnjë lidhje me operacionin e zhvilluar ditën e sotme pranë Kepit të Rodonit.

    No videos found.