Arrestohet drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula 36 vjeç. Rreth orës 15:00 të ditës së sotme ai është shoqëruar për t'u marrë në pyetje, ndërsa më pas i është komunikuar masa arrest me burg për shpërdorim detyre. Konkretisht, sipas të dhënave të deritanishme nga ana e Krimit Ekonomik, dyshohet se Liridon Pula, së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, kanë tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.

Pula ka vetëm pak muaj që është emëruar në krye të zyrës së Kadastrës së Durrësit. Ndërkohë që ky institucion është vendosur në shënjestër të prokurorisë që po e heton prej disa muajsh. Fillimisht pak javë më parë u arrestua n/ drejtori Arben Isaku, ndërsa më pas u la në masën detyrim paraqitje. Ndërkohë që pas tij u prangos edhe n/drejtoresha tjetër Lusiena Kurti, e cila gjithashtu u la në të njëjtën masë. 

Aktualisht të dy n.drejtorët janë pezulluar, pasi janë në hetim, ndërsa sot u arrestua edhe drejtori. Ndërkohë që ish-drejtori i ALUIZNI-t të qytetit te Durrësit, Flamur Gjuzi është në kërkim nga policia po për këtë dosje i dyshuar për abuzime me regjistrimin e pronave. Ne bashkëpunim edhe me zyrtarë të tjerë ata dyshohet se u kanë dhënë disa shtetasve, në kundërshtim me ligjin, dokumentet e pronësisë në zonën e bregut si dhe në zona të tjera te qytetit të Durrësit.