Trafikimi i 613 kg kokainë fshehur në banane, gjykata 14 vite burg për Arbër Çekajn, 9 orëve seancë

15 Shtator 2020, 23:00

TIRANË- Ditën e sotme është dhënë vendimi për fatin e Arbër Çekajt, i cili u dënua me 14 vite burg për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë të fshehura në banane pas 9 orëve seancë gjyqësore, ndërsa Donaldo Lushaj administratori i kompanisë "Arbi Garden" është dënuar me 10 vite e 8 muaj burg. Avokati i Arbër Çekajt, Maks Haxhia, u shpreh se vendimi i Gjykatës së Posaçme ditën e sotme ndaj Arbër Cekajt është një vendim skandaloz e qesharak sepse ndaj tij nuk kishte asnjë provë.

 Në seancën e sotme gjyqësore, Arbër Çekaj ka bërë mbrojtjen e tij, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me drogën prej 613 kg në kontejnerët me banane për të cilat është në burg. Në mbi 30 minuta, Çekaj ka hedhur akuza ndaj Prokurorisë dhe Policisë se kanë dekonspiruar operacionin me qëllim mbrojtjen e trafikantëve të vërtetë, që nuk është ai. Report Tv me gazetarin Arsen Rusta ka arritur të sigurojë të gjithë mbrojtjen e Çekajt, i cili nuk i ka kursyer edhe ironitë. Përtej dokumenteve e faturave që paraqiti në gjykatë, Çekaj dha edhe argumente që ai i quan "logjike", si për shembull nëse droga do ishte e tija do kishte "formuar një grup me vrasësit më të mirë të Ballkanit për të ruajtur drogën, por në ato momente në fabrikë kanë qenë vetëm roje dhe shkarkuesit".