Të pathënat e operacionit të kapjes së 613 kg kokainë në Durrës! Pamjet, si u zbulua droga dhe u bastis magazina (Speciale)

Dy vite e gjysmë nga operacioni "bora e fundit" last snow drejtësia shqiptare ende s'ka dhënë një vendim dosjen e 613 kg kokainë të kapur në magazinat e 'Arbri Garden' në Maminas. Pas 26 seancave dikur me prokurorinë e  gjykatën e krimeve të rënda dhe sot SPAK e gjykatën e posaçme, Arbër Çekaj pronari i kompanisë së bananeve mohon të ketë lidhje me drogën. Këtë qëndrim mbajnë edhe dy vartësit e tij menaxheri Donaldo Lushaj dhe shoferi i kompanisë së transportit të kontenierëve nga Durrësi në Maminas, Armando Pezaku.

Por çfarë ndodhi mbrëmjen e 27 shkurt 2018 duke u gdhirë 28 shkurt 20218? ReportTv ka siguruar pamjet filmike të cilat tregojnë lëvizjet në aksin Vorë-Maminas dhe magazinat e Arbër Garden teksa ora shënon 23:43 e mbrëmjes së 27 shkurt.

Në rrugë nuk ka asnjë lëvizje ndërsa dera e magazinave të "Arbër Garden“ qëndron gjysmë e hapur. Aty përpara se të mbërrijë kontenierë me banane kanë mbërritur punëtorët e shkarkimit të cilët ishin njoftuar se duhet të shkarkonin arkat me banane. Në pamjet e zyrës ku qëndrojnë punëtorët janë 4 burra të cilët për të përballuar dhe temperaturat e ulta të dimrit ngrohen me një fërnellë me korrent.

Kur kanë kaluar pesë minuta nga mesnata dhe ka shënuar data 28 shkurt, paraqitet një furgon ngjyrë gri nga ku zbret Donaldo Lushaj i cili i drejtohet magazinës qendrore, ndërsa punëtorët sapo e shohin nisin të bëhen gati.

Ata kuptojnë se është duke ardhur edhe kamioni për të cilin ishin thirrur në punë për ta shkarkuar, dikush prej tyre pak sekonda më pas hap derën e jashtme për ti dhënë mundësi të futet kamioni.

Në më pak se 5 minuta furgoni me të cilin erdhi Donaldo Lushaj shkarkon mbi 20 arka banane e më pas me karrocerin bosh largohet nga magazinat. Pasi largohet furgoni dhe kamioni i drejtuar nga Pezaku, po parkon për të nisur shkarkimi. Donaldo Lushaj futet në zyrë në 00:17 minuta të 28 korrikut dhe nis të përgatisë një kafe.

Në 00:17:26 sic futet në zyrë Pezaku i cili pasi i dorëzon faturën e shoqërimit të madhit merr kafen dhe pas një bisede të shkurtët me menaxherin e Arbër Garden, në 00:18 e 4 sekonda ai lë zyrën me dy gotat e kafes.

Ai del në oborr për ti larë, ndërsa në aksin e rrugës kryesore ka ndaluar makina e parë e agjentëve të antidrogës e cila me drita fikur nuk është kuptuar nga askush ndërsa brenda kapanonit ka nisur shkarkimi i arkave me banane.

Pak sekonda më pas kur Pezaku lë ambientet e zyrës, nis dhe operacioni policorë i cili ishte planifikuar në distancë dhe ky ishte momenti i flagrancës.

Dhjetë minuta pasi në oborr është futur kontenieri dhe ka nisur shkarkimi e punëtorët ishin duke nxjerrë rreshtin e tretë të arkave me banane, mësyn policia dhe mjeti BMË me drita fikur. Dera e magazinës qëndron e hapur dhe askush nuk është vigjilent apo të dyshojë se policia po i monitoron.

9 agjentët me pistoleta në duar dhe të maskuar kalojnë oborrin dhe i drejtohen magazinës, me thirrjen ndal policia ata shtrijnë në tokë e nisin prangosjen e punëtorëve, por askush prej tyre nuk sheh ambientet e zyrës ku qëndron Donaldo Lushaj i cili sic dhe duket as e ka kuptuar që në kompani po bëhej një operacion.

Para zyrave ku ndodhej Lusha kalon edhe drejtori policisë asokohe Alfred Çepele, por i drejtohet magazinës dhe se vë re praninë e menaxherit i cili edhe mund të ishte arratisur. Pas 1 min e gjysmë kur punëtorët ishin arrestuar dhe mbi 10 policë ishin brenda kompanisë Donaldo Lushaj del në derën e zyrës dhe ndeshet me agjentë të atidrogës. Një prej tyre i habitur se si Lushaj qëndron i lirë e shoqëron sërish brenda zyrës dhe nga ai moment i kërkon të vihet me duar pas murit dhe nisin ta kontrollojnë.

2 minuta më pas Agjentë antidroge, të antikontrabandës, prokurori i krimeve të rënda Ervin Kondili, drejtori i Tiranës Ardi veliu, zyrtarë të lartë policie dhe oficerë kontakti mbërrijnë në oborrin e firmës ku u kap dhe sasia rekord në Shqipëri prej 613 kg kokainë.

Të ndarë në disa grupe, agjentët që qëndrojnë me Donaldo Lushaj pasi i marrin sendet personale si telefon e pasaportë ç'tensionojnë situatën dhe pa i vënë ende prangat nisin të flasin me të duke e lënë të ndez edhe një cigare.

33 minuta pas mesnate agjentët i kërkojnë sërish Lushajt të vendoset me duar e pamje nga muri, ndërsa në zyrë mbërrijnë dhe eprorët e policëve të cilët kërkojnë çelësat për të hapur një ambient brenda zyrës.

Pasi nuk gjejnë çelësat nis hapja me forcë e vetëm pas 5 minutash kur provojnë me shkelma e sëpatë e cila për pak sa nuk dëmtoi edhe vetë policët pasi i thyhet bishti duke goditur derën. Këto pamje filmike janë administruar edhe në procesin gjyqësor ku Arbër Çekaj deklaron se ai ka përgjegjësi vetëm për bananet dhe jo kontenierin që nuk është i tij.

Operacioni ka zgjatur për orë të tëra pas mesnate ku pas ndalimeve të punëtorëve të ngarkim shkarkimit, Pezakut e Lushajt ka ndërhyrë edhe shërbimi zjarrfikës i cili me trapan e troko ka hapur dyshemenë  e modifikuar të kontenierit.

Çekaj ka akuzuar policinë dhe prokurorin Ervin Kondili se ishin ata që nuk lejuan zbulimin e destinacionit final të drogës duke ndërhyrë në këtë formë. Sipas tij pas shkarkimit të bananeve konteniri kishte tjetër destinacion dhe po të donte prokuroria mund ta ndiqte.

Nga ana tjetër në pretencën e tij prokurori Kondili shpjegon se u vendos ndërhyrja sapo shënoi data 28 shkurt pasi kish mundësi të humbte droga apo të dekonspirohej operacioni. Më 4 Maj 2018 Arbër Çekaj do të arrestohej në Gjermani, ndërsa kishte lënë Shqipërinë pak ditë se të mbërrinte kontenieri me banane në Durrës.

Mesditën e 19 shtatorit 2019 ai u ekstradua nga gjermania dhe nga ai moment ndodhet para gjykatës. Disa herë Çekaj ka kërkuar përjashtimin nga ky proces të prokurorit Kondili por kjo kërkesë e tij është refuzuar si nga gjykata ashtu edhe nga këshilli i lartë i prokurorisë. Dy muaj pas ekstradimit më 12 nëntor prokuroria dha pretencën duke kërkuar 21 vite burg për Arbër Çekajn, konvertuar në 14 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Por nga nëntor dhe pse kanë kaluar 8 muaj ende vendimi nuk është dhënë.

Gjykimi për Çekajn, Lushajn, Pezakun është ndalur për të rinisur në shtator ndërsa shkaqet e shtyrjes së seancës ku do të jepet vendimi janë nga mungesa e gjyqtarëve, prokurorit, avokatit, të pandehurve e deri tek pandemia Covid-19 e cila për 2 muaj futi në karantinë edhe gjyqësorin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turp: 02/08/2020 18:37

    Turp ca harbuterie,profesionalizmi 0

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Tirana rrezikon mbijetesën, pesë titullarë bëjnë gati 'valixhet'

Tirana rrezikon mbijetesën, pesë titullarë bëjnë gati 'valixhet'