Tragjedia kineze/ 5 vite më parë u dogjën dy shqiptarë, Artan Hoxha: Grupet e trafikut drejt Anglisë vijojnë, janë bërë si agjencitë turistike

30 Tetor 2019, 21:54

Tragjedia me 39 kinezët që u gjetën të vdekur në një kamion në një park industrial në Essex pak ditë më parë në Angli shokoi botën, por po në të njëjtën mënyrë humbën jetën edhe dy shqiptarë në 2014, të cilët ishin nisur për të njëjtin destinacion. Në datë 21 nëntor të vitit 2014 dy emigrantët shqiptarë humbën jetën pasi kamioni në të cilin udhëtonin ilegalisht nga Polonia për në Britaninë e Madhe u përfshi nga flakët. Erinda Kacorri ndodhej ne kamion me të riun Rexh Myzaraj.
Ajo do të kalonte kufirin për t'iu bashkuar të fejuarit te saj ne Angli, por kamioni me të cilën po udhëtonin u shkrumbua nga zjarri duke i djegur. Për të diskutuar për cështjen e trafikut, që është akoma aktuale ishin të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Repolitix,  gazetarët Artan Hoxha, Elton Qyno, Poli Hoxha dhe Arben Hajdarmataj  ish- drejtues policie. Për gazetarin e Report Tv, Artan Hoxha grupet e trafikut të klandestinëve drejt Anglisë vijojnë dhe janë bërë si agjencitë turistike.

Shqiptarët në këto 30 vite, duke më përfshirë edhe mua ilegalisht kam ikur për shkak të kushteve të jetesës, varfërisë, për një të ardhme më të mirë. Kuksianët fillimisht përdornin dokumente të ish-Jugosllavisë. Ky lloj trafiku organizohet kështu, nëse ke ndërmend të ikësh nuk lodhesh fare, pasi janë si agjencitë turistike, 'Travel' por nuk e shënojnë, por dihet se kush con njerëz në Londër. Trafiku i klandestinëve ndërthuret me atë të narkotikëve, pasi më pas për të shlyer shumën që paguajnë 15 apo 17 mijë paund për të shkuar, atje punojnë në plantacionet me kanabis me llampa brenda banesave. Ata i fusin në kamionë të mbyllur, pasi nuk ka rrugë tjetër.

Vjet në mars mesa kujtoj këtu erdhën dy përfaqësues britanikë dhe ata kishin të dhëna për zonat nga ku shkonin shqiptarët. Më kërkuan edhe mua ti shoqëroja dhe lëvizëm në Tiranë, Lac, Mamurras, Kukës, Has, Bajram Curr, Burrel, Klos, Peshkopi. Ata erdhën të shikonin që gjithë ajo zhurmë që bëhej në Angli, ku shkonin paratë dhe mbeten të traumatizuar, pasi gjendja atje është shumë e keqe. Në Dibër në një rast një klasë me 18 nxënës, 15 kur u pyetën se cfarë do të bëheni kur të rriteni u përgjigjën duke thënë do të shkojmë në Angli. Ai niset nga këtu se do të punojë atje të kanabisi me llampa për të bërë lekët" tha Hoxha.

Ndërkohë që gazetari Poli Hoxha u shpreh se trafiku është i organizuar. "Atëherë para liberalizimit të vizave në 2008 trafikun e bënte policia, ishte e implikuar 100%. Aktualisht ne kemi një trafik të organizuar. Anglia ka një problem shumë të madh, pasi shqiptarët janë me dokumente kosovare. Tani ka filluar një verifikim, ndërsa përfitojnë amnisti vetëm 18-vjeçarët. Megjithatë ka një panik te shqiptarët, pasi edhe mund të dënohesh për mashtrim" tha ai.

Ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj   tha se shqiptarët që trafikohen në Angli për të shlyer shumën e lartë që paguajnë punojnë në plantacionet me kanabis të ngritur nga grupet kriminale. "Ai niset nga Shqipëria me këtë qëllim, që pagesën ta shlyejë te shtëpia me plantacionet me kanabis. Qëndron atje derisa mbyll pagesën për rrugën. Këtu lindin konfliktet dhe gjithë këto konflikte që ndodhin atje, transferohen më pas këtu".