'Transporti' në Gjirokastër në protestë: Do futemi në grevë! Liçenca klienteliste

26 Mars 2019, 09:31 | Përditesimi i fundit: 2019-03-26 13:47:05

Shoqëritë e transportit të udhëtarëve në Gjirokastër, kanë nisur një protestë pa afat. Kjo ka sjellë paralizimin e transportit të udhëtarëve nga Gjirokastra, drejt destinacioneve të ndryshme brenda vendit.

Shkak është konkurrenca e pandershme prej të cilës ata thonë se po dëmtohen nga ana financiare. Madje si pasojë e këtij fenomeni, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka pasur tension mes shoferëve dhe atyre që kërkonin të përfitojnë nga konkurrenca e pandershme.

Sipas burimeve policore, janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, tre prej personave të përfshirë në konflikt. Shoferët kanë kërkuar përmbushje të kërkesave të tyre pasi në të kundërt, kanë paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të protestës.

Sipas tyre, Ministria e Transporteve ka lejuar deformimin e tregut të udhëtarëve duke i’u dhënë leje firmave klienteliste fantazmë që të operojnë në linjat ndërqytetëse të Gjirokastrës.

Të gjendur në kushte të tilla, banorët e Qarkut të Gjirokastrës, ngelen pa zgjidhje për të udhëtuar në destinacione të ndryshme pasi kjo protestë do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të shoqatave të transportit të udhëtarëve që operojnë në rajonin jugor. Shoferët kanë paralajmëruar grevë urie si masë ekstreme.