Tregtarët e veshmbathjeve në Zdrale nuk përfitojnë pagën e luftës, rezultojnë në QKB subjekt ushqimor

15 Prill 2020, 11:59

Tregtaret e veshmbathjeve në tregun Zdrale të Shkodrës, të mbyllur tashmë, janë përjashtuar nga përfitimi i pagës së luftës pasi në QKB thuhet se janë regjistruar si biznes ushqimor. Së bashku me kryetarin e Sindikatës, Albert Tukaj  ato janë drejtuar në Drejtorinë e Tatimeve Shkodër dhe kanë kërkuar që të marrin fund këto burokraci dhe të përfitojnë atë që i takon me ligj. Tukaj tha se ngërçi ka lindur pasi ka devijim të destinacionit të biznesit të tyre dhe për këtë duhet të shkojnë në QKB për ta ndryshuar.

'Në kuadër të aplikimit për të përfituar pagën e luftës, pjesërisht e tregtarëve i kanë marrë dhe një pjesë tjetër jo. Është punuar në mënyrë selektive në drejtim të tyre. Në QKB disa prej bizneseve kishin devijim të destinacionit. Në bashkëpunim me drejtorinë e Tatimeve u vendos që këto persona që i është refuzuar aplikimi të shkojnë në QKB dhe të bëjnë devijimin e destinacionit dhe kush shet veshje ta  regjistrojë si të tillë. Sipas qeverisë asnjë ushqimore nuk është mbyllur në Shkodër dhe për këtë nuk përfitojnë", tha Tukaj.