Trevllazër, kremra dhe sapunë me pastë ulliri

10 Shkurt 2020, 08:38

Një udhëtim në ditë dimri në jugun e Shqipërisë, na sjell në fshatin Trevllazër të Vlorës, një fshat mes ullishtave qindravjecare. Ndalesë në shtëpinë e familjes Lazaj, aty ku dy zonja, dy amvisa dhe dy gra inovative në jetën e tyre, prej pesë vjetësh nxjerin nga duart e arta kremra dhe sapunë që bëhen me pastë ulliri në mënyrë artizanale, sipas mënyrave të trashëguara nga nga nënat dhe gjyshet e tyre. Gjinovefa Lazaj dhe Mjaftime Myrtaj në një rrëfim ekskluziv për emisionin Veri Jug, flasin për sekretet e punës, për aromat që japin pasta e ullirit përzier me aloe vera, me arra, me rozmarinë dhe bimë të tjera medicinale, prej të cilave dalin kremrat për fëmijë dhe kremra fytyre, kremra lëkure për plazhe, sapunët në formë gjysmëhënash dhe yjesh që sikur bien nga qielli i ullishtave të fshatit Trevllazër. Shqetësimi i dy grave duararta, mungesa e tregut. Emisionin "Veri Jug" me moderator Agim Pipën mund ta ndiqni çdo të dielë në orën 14:30 në ekranin e Report TV.