Sociologu Tushi: Vetëvrasjet vështirë të zbulohen, po jo e pamundur! Mjekët të jenë më të vëmendshëm

10 Nëntor 2020, 18:41 | Përditesimi i fundit: 2020-11-10 18:44:37

TIRANË- Disa këshilla të vlefshme ka dhënë në ekranin e Report Tv, sociologu Gëzim Tushi për të gjithë pacientët që kanë kaluar COVID-19. Një shëtitje në natyrë, shmangja e njerëzve pesimistë gjithashtu edhe shmangja e njerëzve që flasin gjatë gjithë kohës për pandemisë, janë disa nga mënyrat që mund ta ndihmojnë një pacient që ka kaluar COVID-in  të marrë veten pak nga pak nga ana mendore. Në këtë drejtim, një rol thelbësor duhet të luajë familja.

 I ftuar në hapësirën 'live' të pasdites në Report Tv, Tushi tha se infektimi nga COVID-i sjell trauma të mëdha në shëndetin e njerëzve, e për pasoja ai ka bërë thirrje që të tregohet një kujdes më i madh.

 Infektimi nga COVID sjell trauma, kemi parë njerëz që e kanë kaluar sëmundjen dhe janë ende të pasigurt kur flasin. Gjurmët që lë COVID, trajtimi spitalor, ankthet dhe pasiguritë nuk është e thjeshtë, nuk bëhet menjëherë. Atje ku duhet të gjejnë ngrotësinë është familja, është një rimarrje e aktivitetit, një terapi nëpërmjet natyrës, shëtitje në natyrë, në parqe, një socialitet i kujdesshëm, se kemi kaluar nga një shoqëri sociale, të kalojmë drejt vetmisë. Kanë nevojë për një dozë optimist, të shmangin personat pesimistë deri sa të marrin xhirot e motorit të mendjes", tha Tushi.

Duke marr shkak nga tentativa për vetëvrasje e 69-vjeçarit sot në spitalin Infektiv në Tiranë, Tushi tha se është e vështirë për ta parandaluar, por jo e pamundur. Kjo sepse sipas Tushit, pacienti jep disa sinjale që nuk duhen neglizhuar nga mjekët.

"Vetëvrasja është një akt i fshehtë e vështirë ta zbulosh dhe një njeri që është në gjendje i destabilizuar është i predispozuar për të marrë "aventura të tillë", me fund tragjik, por nuk do të thotë që është e pamundur, aq më tepër në spitale, ku janë mjekë që janë të zot jo vetëm të administrojnë trupin, por edhe mendjen e njeriut. Duhet një vigjilencë më e madhe, për të kuptuar ankthet, pasiguritë, ka sinjale që ky njeri mund të jetë i deprimuar, nëse ne kemi shtuar infermierë dhe mjekë, por kemi nevojë edhe për psikologë", tha Tushi.