U akuzua se është dënuar në Itali/ Reagon kryebashkiaku: Unë jam Mark Ndoc Babani, nuk kanë shans t'më bëjnë Sajmir

16 Shtator 2019, 17:05 | Përditesimi i fundit: 2019-09-16 18:05:08

SHKODËR - Kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani reagoi pas akuzave të PD-së se ka qenë i dënuar në Itali me një emër tjetër të ndryshuar. Në një komunikim me gazetarët, Babani tha se nuk ka ndryshuar asnjëherë në jetën e tij emrin, dhe se nuk është dnaluar apo dënuar në asnjë rast. Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, sqaroi edhe një herë para mediave se të vetmet ndryshime janë mbiemri i tij të cilin familja e ka ndryshuar nga Babaj në Babani.

Ndërkohë që risolli edhe një herë në vëmendje faktin që ka lindur në 24 dhjetor 1966 dhe është regjistruar në 1 janar 1967. Babani tha se i ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit të gjithë këto ndryshime, dhe shtoi se kjo është baltë politike që po hidhet ndaj tij. PD publikoi sot një dokument sipas të cilit Sajmir Marq Babani i datëlindjes 11/06 1997 ishte arrestuar në 4 prill 1994 në Sicili për vjedhje të makinave. Babani sqaroi në deklaratën e tij për mediat se nga janari i '94-ës deri në 27-10- 1994 ka punuar në hotel.

Në fillim thanë trafikant i qenieve njerëzore, pastaj parash, tani dalin hajdut makinash. Është histori e sajuar, që nuk ka lidhje me mua, unë deklarimet i kam bërë të qarta. Nëse kanë fakte mund të kishin shkuar në prokurori. Unë kam lindur Mark Babani dhe jam Mark Babani, as Sajmir e as kushdo tjetër.

Unë në jetën time nuk kam qenë kurrë as i arrestuar as i ndaluar prej policisë.

Unë nuk kam asnjë person të fisit tim që e ka emrin Sajmir, të emrave që kam bashkëjetuar atje. Kur kemi punuar atje kemi qenë shumë shqiptarë, por kjo nuk ka lidhje me emrin tim. Para se prokuroria të dalë me një vendim do t'i bëj denoncim zotit Gazmend Bardhi për shpifjet që ka bërë karshi figurës sime.

Unë jam Mark Ndoc Babani, nuk kanë shans t'më bëjnë Sajmir. Unë nuk kam ndryshuar asnjëherë emër. Mbiemrin e kam ndryshuar në momentin që e kemi bërë si familje nga Babaj në Babani.

kam deklaruar edhe ditëlindjen tjetër edhe mbiemrin tjetër.

Të jesh 24 orë në burg në zonën tonë e merr vesh gjithë dynjaja", tha Babani.