U arrestua pas shkëmbimit të zjarrit me policinë/ I kërkuari për vrasje qëlloi 2 herë mbi policinë, përdorte të dhënat e një personi nga Sukthi

24 Janar 2020, 20:49

VLORE- Arrestimi i Xhevahir Jonuzit në Hoshtimë të Vlorës, një i dënuar në vitin 1999 me 25 vite burg për vrasjen e Shezai Belajt dhe Shkëlqim Gurhanajt, ka nxjerrë në dritë fakte të reja, pasi Jonuzi prej kohës kur ka kryer krimin e deri më sot,qarkullonte i lirë,i armatosur dhe përdorte një pasaportë biomentrike. Kjo pasaportë biometrike është sekuestruar nga policia e Vlorës, ku u zbulua se Jonuzi ka përdorur të dhënat personale të një qytetari nga Sukthi i Durrësit, me emrin Sutki Lala. Pikërisht nën këtë emër fshihej prej disa vitesh Xhevahir Jonuzi, i cili në pasaportën biometrike ka futur vetëm foton e tij, ndërsa emrin dhe ditëlindjen 14 korrik 1979, ia kishte vjedhur një qytetari nga Sukthi i Durrësit.

“Shqiptarja.com” mëson se Jonuzi, gjatë momentit të arrestimit, nga forcat policore RENEA në fshatin Hoshtimë, ka qëlluar dy herë me pistoletë drejt policisë,duke tentuar ti shmanget dhe ti iki, rrethimit të uniformave blu. Por siç del edhe në dokumentet e prokurorisë, plot dy herë i është kundërpërgjigjur RENEA, ku një nga plumbat e ka kapur në këmbë Jonuzi, duke i ndalur vrapin që ai kishte nisur për t'u larguar. Gjatë kontrollit të banesës Jonuzit iu sekuestrua një palë dylbi cilësore, ndërsa në momentin e arrestimit ju bllokua një pistoletë tip TT me tre plumba na karikator. Dy ditë më parë, Jonuzi ka dalë para gjyqtarit të Vlorës Ervin Trashi, ku është njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”, për sa i përket akuzës së “Mbajtjes pa lejë të armës” dhe “Falsifikimit të pasaportës biometrike”.