VLORE- Xhevahir Jonuzi  47-vjeç nga Hoshtima, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy personave në vitin 1999, është arrestuar mëngjesin e sotëm pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Në tentativë për t'i shpëtuar aksionit të nisur prej orëve të para të mëngjesit, 47-vjeçari ka hapur zjarr ndaj efektivëve të policisë duke iu rrezikuar edhe jetën, por pas kundërpërgjigjes së tyre ka mbetur i plagosur në këmbë. Operacioni policor për kapjen e tij i koduar "Hoshtima" është zhvilluar nga Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës.

Uniformat blu rrethuan fillimisht banesën e 47-vjeçarit të ndërtuar në majë të një kodre në mes të pyllit në fshatin Hoshtimë të Vlorës rreth orës 04:00, dhe i kanë bërë fillimisht thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën, por ai ka refuzuar duke qëlluar në drejtim të policisë. Në përpjekje për ta neutralizuar policia e ka qëlluar të shumëkërkuarin në këmbë duke e lënë të plagosur. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë, blutë e kanë dërguar Jonuzin në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pasi nën masa të shumta sigurie ai është sjellë në Burgun e Sigurisë së Lartë Tiranë.

Foto nga aksioni i RENEA

Xhevahir Jonuzi është dënuar në mungesë me 25 vite burg për veprën penale "Vrasje me paramendim". Pas një konflikti, 47-vjeçari në bashkëpunim me një person tjetër kanë vrarë Shezai Belaj dhe Shkëlqim Gurhanaj.

Ndaj Jonuzit ka pasur edhe një masë arresti me burg nga Gjykata e Vlorës për vepra të tjera penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike". Ai ishte edhe në listën e 8 personave me rrezikshmëri shumë të lartë në qarkun Vlorë të shpallur në kërkim. 

Xhevahir Jonuzi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:19
Forcat RENEA sjellin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Tiranë të dënuarin për vrasje që u arrestua pas një shkëmbimi zjarri

1579357199_renea.jpg

Forcat Renea kanë sjellë drejt Burgut të Sigurisë së Lartë në Tiranë Xhevahir Jonuzin, 47-vjeçarin e arrestuar nga policia mëngjesin e sotëm pas një shëmbimi zjarri, ku ai mbeti i plagosur në këmbë. Ai do të vijojë të mjekohet në spitalin e këtij burgu. Jonuzi ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy personave, ngjarje e ndodhur në vitin 1999.

Ora 10:30
Vlorë- Super aksioni i RENEA-s dhe Forcave të Posaçme operacionale për kapjen e Xhevair Jonuzit

Report Tv siguron video nga superaksioni i zhvilluar nga Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me DVP-Vlorë për arrestimin e Xhevahir Jonuzit, të dënuar me 25 vite për vrasje. 

1579339963_aksinijonuzi3.jpg

Ora 09:38
Nën masa të shumta sigurie, MOMENTI kur i shumëkërkuari për vrasje që qëlloi ndaj policisë dërgohet në spitalin e Vlorës

Pas plagosjes nga efektivët e policisë në shkëmbimi zjarri gjatë arrestimit të tij, Xhevahir Jonuzi 47-vjeç dënuar me 25 vite burg për vrasje është dërguar në spitalin e Vlorës nën masa të shumta sigurie.