U arrestuan si pjesë e grupit Bajri/ Shpallen të pafajshëm ish-trajneri Armir Grima, Nelson Hysa e Fabiol Rexhepi

22 Tetor 2019, 16:51

Është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e shkallës së Parë në Shkodër, Armir Grima. Ish-trajneri i Kambëtares për Femra dhe ish-portieri i Vllaznisë u arrestua së bashku me grupin e Bajrajve në Shkodër.

Po kështu janë liruar nga çdo masë edhe boksieri Nelson Hysa si dhe  ish-portier i Besëlidhjes, Fabiol Rexhepi. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja bën të ditur se çështja për ta është pushuar pasi nuk janë vërtetuar akuzat.

Grima, Hysa dhe Rexhepi akuzoheshin për trukim ndeshjesh për të cilën qëndruan për disa kohë në burg dhe më pas nën masën detyrim paraqitje e arrest shtëpie.

Për sa i përket Grimës masa e sigurisë për të u lehtësua më parë nga arrest me burg në arrest shtëpie ndërsa më pas në detyrim paraqitje. Ai nuk është një emër i panjohur, ndonëse jo i lidhur më parë me ngjarje kriminale. Ai ka qenë portier i ekipit të futbollit të Vllaznisë në vitet 1998-2001, kohë kur ky ekip është shpallur kampion. Grima ka qenë edhe drejtor teknik i skuadrës, ndërsa ka mbajtur herë pas here edhe pozicionin e trajnerit në momentet kur Vllaznia ka pasur probleme. Ai dha dorëheqjen nga pozicioni që mbante për shkak të angazhimit me kombëtaren e futbollit të femrave. Ndërkohë ndaj tij nuk është vërtetuar asnjë akuzë që e lidhte atë me grupin kriminal, apo me trukimin e ndeshjeve.

Këta tre persona u arrestuan në kuadër të operacionit “Volvo 4”, si anëtarë të grupit Bajri, të dyshuar se ishte përfshirë në trukimin e ndeshjes së Kategorisë së Parë mes Vllaznisë B dhe skuadrës së Tërbunit të Pukës. Në kuadër "Oaz" u arrestuan 11 persona.