U dënua për skandalin e CEZ-DIA, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Kastriot Ismailajt! Mbeten të konfiskuara 5 milionë euro

5 Maj 2021, 15:04

U dënua për skandalin e CEZ-DIA, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Kastriot Ismailajt! Mbeten të konfiskuara 5 milionë euro

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Kastriot Ismailajt për të rimarrë mbi 5 milionë euro që gjykata ia kishte të konfiskuara.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se llogaritë bankare ku janë konfiskuar miliona eurot ishin  në emër të Kastriot Ismailajt, nënës Lutfije Ismailaj dhe gruas së tij Vojsave, si dhe kompanisë ADC (ADRIATIC DEVELOPMENT CORPORATION LTD), një prej kompanive që ai përdorte për transfertat e parave që merrte nëpërmjet DIA.

Kastriot Ismailaj është dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.

Ai u arrestua në 12 maj të vitit 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë.

Nga “Debt International Advisori” paratë kanë dalë nga Shqipëria duke hyrë në llogaritë e dhjetëra kompanive të tjera, që veprojnë në rreth 15 shtete. Sipas burimeve nga prokuroria, bëhet fjalë për shuma financiare që ka dyshime të forta se i përkasin njerëzve të politikës dhe personave VIP në Shqipëri, pasi kjo kompani fantazmë nuk ka kryer as vjeljen e borxheve të “CEZ Shpërndarje”, për të justifikuar transfertat, aq më tepër që shuma e transferta është shumë më e madhe se 5 milionë euro.

Kastriot Ismailaj, nën “maskën” e marrëveshjes me kompaninë çeke, “CEZ Shpërndarja”, për mbledhjen e borxheve kreu mbi 100 transaksione bankare, para këto që kanë qenë të personave të rrethit shoqëror të tij. 

Rendit zhvillimet sipas orarit: