U mbytën duke peshkuar në liqenin e Bradomirës, polumbarët gjejnë edhe trupin e pajetë të peshkatarit tjetër

31 Dhjetor 2018, 10:05 | Përditesimi i fundit: 2018-12-31 15:28:56

POGRADEC - Polumbarët e RENEA-s gjejnë edhe trupin e pajetë të peshkatarit tjetër që humbi jetën ditën e djeshme në liqenin e Bradomirës në Pogradec. Dy peshkatarët Arben Pupa, 50 vjeç dhe Ramazan Kojtari, 56 vjeç u mbytën teksa kishin dalë për të peshkuar (Lexo këtu). Trupi i pajetë i peshkatarit Pupa u gjet dje nga banorët e fshatit pasi uji e kishte nxjerrë atë në sipërfaqe, ndërsa nuk kishte asnjë gjurmë për peshkatarin tjetër Ramazan Kojtari. Kërkimet për të u ndërprenë mbrëmjen e djeshme për shkak të errësirës dhe temperaturave të ulta. 

Kërkimet për të fundit kërkimet rinisën mëngjesin e sotëm nga polumbarët e RENEA-s. Pas rreth dy orësh, polumbarët gjetën trupin e pajetë të 56-vjeçarit në thellësinë e rezervuarit. Gazetarja e Report Tvnë Korçë, Iris Rezhda raporton se ekipi i polumbarëve hasi në vështirësi gjatë kërkimeve për shkak të temperaturave nën zero çka bëri që ata të përdonin rrjetat në vend të zhytjes në liqen. Pikërisht falë tyre, u bë e mundur edhe gjetja e trupit të pajetë të Kojtarit. Dy peshkatarët kishin dalë për të peshkuar në liqenin me një varkë mesditën e djeshme kur u mbytën. Shkak për ngjarjen dyshohet të ketë qenë mbingarkesa pasi kishin kapur rreth 200 kg peshk, duke bërë që varka të fusë ujë dhe për të rrjedhojë të përmbyset bashkë me dy peshkatarët.