Ushtria zbret në terren, Report TV në autoblindin ku arma e vetme është megafoni! Majori: Do jemi në çdo cep të vendit

21 Mars 2020, 15:15 | Përditesimi i fundit: 2020-03-21 15:40:27

TIRANË- Kur akrepat e orës kanë shënuar 13:00, që përkon me përfundimin e afatit për të lëvizur, ushtria ka zbritur në terren, me një mision të veçantë, sensibilizim e qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. Report Tv ka shoqëruar autokolonën e ushtrisë nga Zall-Herr, pika e nisjes deri në stacionimin e tyre në pikat kryesore të qytetit, për të monitoruar zbatimin e urdhrit. Arma e tyre e vetme është megafoni, ndonëse nga sot janë autorizuar që të përdorin edhe forcën nëse do të jetë e nevojshme për qytetarët e pabindur.

Kjo pamje do të jetë e përditshme, deri kur armiku i padukshëm i quajtur koronavirus, do të mundet dhe vendi do të çlirohet nga pushtimi i tij. Një fakt i tillë u konfirmuar edhe nga Majori Saimir Germenji, Zv.komandant në detyrë i batalionit, i cili një intervistë për gazetarin Arsen Rusta bëri me dije se ushtria do të jetë në terren, në çdo cep të Shqipërisë, deri sa situata të normalizohet. "Kemi dalë në detyrë me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës civile, për të sensibilizuar njerëzit duke respektuar oraret e lëvizjes. Do të vijojmë të jemi në terren derisa sa situata të vihet në normalitet. Jemi në të gjithë Shqipëri, veçanërisht në zonat e prekura me COVID-19", tha majori.