Duke filluar nga dita e sotme nis izolimi për të gjithë qytetarët . Kryeministri Rama se the ndalimi i qarkullimit pas orës 13:00 do të jetë i vlefshëm edhe për javën e ardhshme.  Pas orës 13:00 nuk do të jenë më hapur as farmacitë, as supermarketet dhe as bankat.

Kreu i qeverisë tha se ecja më të tjerë nëpër lagje dhe shkelja e rregullave të vendosura nuk do të tolerohet më duke paralajmëruar se ushtria e policia do të përdorë forcën, deri tek përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës.

Shefi i mazhorancës tregoi edhe për një mesazh që kishte marrë nga vlonjatët, dhe si deputet i Vlorës ofroi gjithë mbështetjen e tij por me një kusht.

Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se ka mbështetjen e atyre që po respektojnë rregullat, përballë një tufe të pagdhendurish siç tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:01
Mesazhi me shkrepësen! Lleshaj i prerë: Asnjë tolerim! Shtëpia, i vetmi vend deri të hënën

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se policia e shtetit nuk do të tolerojë askënd dhe për asnjë arsye, prandaj deri ditën e hënë në orën 05:00 të gjithë shqiptarët duhet që të qëndrojnë në shtëpi. "Edhe një person i vetëm mund ta ndërpresë vargun fatal të infektimit. Pikërisht për këtë, Policia nuk do të tolerojë askënd dhe për asnjë arsye. I vetmi vend për shqiptarët deri të hënën në orën 05:00 është ose në shtëpi, ose në shërbim!" shkruan ai.

Ora 13:38
Rama: Vlonjatët do shajnë nga motra koronavirusin...Ta bëjnë nga ballkoni dhe mos të dalin nga dera e shtëpisë!

Kreu i qeverisë bëri të ditur se sot në orën 19:00 pasdite në Vlorë nga ballkoni do të dalin për të bërtitur e sharë ndaj koronavirusit, por teksa bëri batuta tha se ritualin e tyre luftarak duhet ta bëjnë duke mos guxuar të dalin në rrugë.

"Më shkruanin nga Vlora se paskan vendosur të dalin sonte në ballkon në 19:00  të shajnë virusin nga motra. çudi si duruan kaq gjatë që nuk u morën me motrën e kompetent që po çmend botën, në pamundësi t'i bashkohem sot në ritualin e tyre luftarak, u jap mbështetjen time si deputet i Vlorës me kusht që ta bëjnë nga ballkoni e mos të bëjnë xhap jashtë derës së shtëpisë. Kur as vlonjatet nuk mund ta bëjnë dot siç duan ritualin e tyre të lashtë, ne të tjerët duhet thjesht të bëjmë ritualin e ri të luftës ku kemi hyrë dhe të lusim zotin e madh të shqiptarëve të na ndihmojmë që t'u tregojmë vendin këtyre tradhtarëve të kësaj pakice të vogël që po na prish gjithë punën dhe t'i japim të gjithë njëri-tjetrit ndihmën e nevojshme si motra e vëllezër, si anëtarë të të njëjtës familje të ndarë në shumë shtëpi por të mbyllur brenda shtëpisë shqiptarë dhe të lidhur me besa besë. Rrugë tjetër nuk ka, kush kërkon rrugë tjetër t'i bie murit me kokë", tha Rama.

Ora 13:34
Rama: Më shani mua sa të doni, më mirë sesa të qepni jetën në arkivol që shëtit me makinë ushtrie për të gjetur një copë varr

Rama u shpreh i bindur se ka mbështetjen e atyre që po respektojnë rregullat, përballë një tufe të pagdhendurish siç tha ai. "Tani do të duhet ta marrin vesh me pahir", theksoi.

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj të gjitha komenteve se nuk po ndihmohen të varfrit.

"Kush rri e rri e më shkruan për fukarenjtë që s'kanë bukë e duhet të dalin në rrugë, të mos shqetësohet por ta mbledhë mendjen top se askush nuk kërcënohet nga vdekje për shkak të urisë, por nga vdekja për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë i-Phone dhe dëngla për të shitur në Facebook e Instagram, dhe janë njerëzit më të mirëkuptueshëm të këtij vendi që po i ndihmojmë dhe do i ndihmojmë deri në fund. Për bukë me hangër shqiptari s'ka vdekur as në mesjetë dhe as në ato 50 vjet kur jetonte me 200 kalori në ditë, jo më në këtë kohë që askush s'ka vdekur për bukë në 30 vjetët e fundit. dhe tek më të varfrit nuk është vdekja nga mungesa tek capa e bukës po pamundësia për të ushqyer normalisht të treja vaktet si gjithë të tjerët, e për të ushqyer fëmijët. operacioni humanitar po zhvillohet përditë në ndihmë të fukarenjve", tha Rama.

"Më shani mua sa të doni por mos luani nga vendi dhe nuk do të tolerojmë më askënd dhe do të përgjigjemi me të keq nëse me të mirë nuk marrin vesh pakica e pagdhendshme kur iu flitet me të mirë, kur iu lutemi si vëllai vëllait. Më mirë qani sot nga frika se sa të vajtoni nesër nga vuajtja e të lëngoni nga mushkëritë që nuk iu furnizojnë dot me frymë. Më mirë turfulloni e po të doni hidhuni përpjetë sot nga sikleti  po ama në shtëpinë tuaj shëndoshë e mirë se sa ta qepni përgjithmonë mbyllur në një arkivol që shëtit me një makinë ushtrie rrugëve për të gjetur një cop varr në ndonjë kodër të thatë", tha Rama.   

Ora 13:07
Rama: Policia do ju fusë forcërisht në shtëpi, do shpërndahen me gaz lotsjellës! S'ka bursë për studentët e rimbursim ilaçesh për pensionistët

Kreu i qeverisë tha se qëndrimi në vend, ecja më të tjerë nëpër lagje. nuk do të tolerohet më paqësisht dhe nuk do të mjaftojë më me gjoba. Rama paralajmëroi se ushtria e policia do të përdorë forcën, deri tek përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës njëjtë si në tubimet e paligjshme. Shefi i mazhorancës tha se kush shihet që ka dalë nga banesa pa arsye do të penalizohen duke u përjashtuar edhe nga ndihmat sociale për të përballuar situatën e vështirë që po kalon Shqipëria nga COVID-19. Rama tha se kush duhej të ishte në punë por qëndron në shtëpi nuk do të marrë mbështetje nga shteti për rrogën, po ashtu studentët do përjashtohen nga bursa, të moshuarit nga rimbursimi i ilaçeve, e deri tek heqja me 1 vit e ndihmës financiare për të papunët.

"Qëndrimi në vend, ulur, apo me të tjerë, dhe natyrisht ecja më të tjerë nëpër lagje, apo në rrugë gjatë orarit të lejuar për lëvizje nuk do të tolerohet më paqësisht dhe nuk do të mjaftojë më me gjoba dhe këshilla e me sensibilizim. Polica e ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe Durrës ku kemi edhe zonën më të kuqe të të gjithë vendit, si dhe çdo zonë urbane të këtij vendi duke fotografuar dhe duke futur në listë të zezë tradhtarësh çdo individ që merr diell, luan donimo, apo bën gallatë me ata që i ka si vetja në oborret e lagjes.  Këta individë do ta paguajnë shtrenjtë dhe çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta se do t'u hiqet çdo ndihmë shtetërore dhe do tu mohohet cdo lloj kompensimi i pasojave të luftës nëse janë në kategorinë e atyre që duhet të rrinë në shtëpi se nuk shkojnë dot në punë. Do t'u çdo lloj ndihmë financiare për të paktën 1 vit nëse nuk kanë punë dhe duan t'i prishin punë dhe jetë të tjerëve, çdo lloj burse për studentë apo rimbursimi ilaçi dhe ndihme qoftë edhe nëse janë edhe pensionistë, por po më vjen tmerrësisht keq sa s'ka, por edhe pensionistët që thyejnë ligjin e luftës për tu ulur bashkë në diell. Një pakicë fare e vogël të pabindurish, që janë të mjaftueshëm për të marrë në qafë gjithë popullin do të konsiderohen tradhtarë lufte dhe dot ë trajtohen me zero tolerancë. Dua t'ju informoj se të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes, deri tek forcat më speciale, janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet që përdorën në rast shkelje të ligjit në tubime të paligjshme apo kudoqoftë tjetër, deri tej uji e gazi lotsjellës po të jetë nevoja", tha Rama.

Ora 13:06
Rama: Orari i ri 05:00 - 13:00 gjatë gjithë javës tjetër, pas drekës mbyllen edhe farmacitë

Kryeministri Edi Rama tha se orari i ri nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00 të drekës për lejimin e qarkullimit do të qëndrojë në fuqi gjatë gjithë javës që vjen për të gjithë njësoj. Administrata do të punojë nga ora 05:00 deri në 13:00 dhe kush punon në zyrë nuk do të lejohet të përdorë automjet për të shkuar në zyrë.

 Pas orës 13:00 nuk do të jenë më hapur as farmacitë, as supermarketet dhe as bankat. 

"Nga tani 13:00 e drekës e shtunë deri në 05:00 të mëngjesit e hënë do të jetë shtetrrethim total dhe nuk do të dalë askush nga shtëpia, përvec policisë, ushtrisë, dhe të shërbimeve më kritike të shtetit. Nuk do të jetë hapur asnjë lloj dyqani dhe asnjë lloj qepeni në të gjithë territorin e republikës së Shqipërisë. Kush e thyen shtetrrethimin do të përballet me forcat e rendit. Nga ora 13:00 deri në 05:00 të mëngjesit të së hënës vendi do të jetë shtëpi e mbyllur, dhe të gjithë në dhomat e tyre", tha Rama.