Vajza e Admir Muratajt kërkon EMRAT e policëve që i vranë babain: Ai nuk qëlloi me armë!

2 Maj 2019, 14:58

Vajza e Admir Muratjt, Irini Murataj, kërkon nga Prokuroria për Krime të Rënda të hetojnë repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për vrasjen e babait të saj më 9 prill teksa uniformat blu ishin vënë në ndjekje një grupit grabitës të miliona eurove në aeroportin e Rinasit.

Me prokurë të veçantë të vajzës së Admir Muratajt, avokati i familjes Murataj, Arbër Hoxha, paditi në Prokurorinë për Krime të Rënda, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët vranë Admir Muratajn pas grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit.

Sipas tij, Admir Murataj u vra qëllimisht nga policia pasi uniformat blu nuk kanë vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas pretendimeve të familjes Murataj, Admiri nuk ka qëlluar me armë ndaj policisë dhe nuk ka rrezikuar jetën e askujt, pra - sipas tyre - Murataj nuk ka shkëmbyer zjarr me efektivët e FNSH-ë.

"Admir Murataj është qëlluar për t'u vrarë. Ai që e ka qëlluar duhet të vendoset përpara drejtësisë. Mundet që edhe punonjës të policisë mund ta kenë qëlluar për ta vrarë dhe kjo duhet hetuar për t'u vënë përpara drejtësisë", tha avokati.

I pyetur se përse po vonohet certifikata e vdekjes e cila ende nuk është dorëzuar në gjykatë, si dokument i nevojshëm për të mbyllur procesi gjyqësor ndaj Admir Muratajt, avokati u përgjigj: Detyrimin ligjor e ka organet ligjzbatuese. Këto janë çështje procedurale.

 “Marrë shkas nga mekanizmi i vrasjes dhe shkaku i vdekjes (vetëm një vrimë tejshkuese në kokën e viktimës) jemi të mendimit që rrethi i personave nën hetim duhet të zgjerohet duke marrë si të dyshuar për kryerjen e veprave penale "Shpërdorim Detyre", "Vrasie me Dashje" ose "Vrasje e kryer në kapërcim e mbrojtjes së nevojshme", edhe punonjësit e Policisë së Shtetit konkretisht F.N.SH. si grup i ndërhyrjes dhe ndjekjes së veprimeve, të personave të dyshuar për grabitjen në të cilen ka mbetur i vrarë i ndjeri Admir Murataj", thuhet në kërkesë padinë të cilën Report Tv e disponon.