Vaksina anti-COVID/ Rama në SHBA: Takim pozitiv me bosin e Pfeizer! Nisim vaksinimin në dy muajt e parë të 2021, bisedime dhe me 2 kompani të tjera

10 Dhjetor 2020, 00:08 | Përditesimi: 10 Dhjetor 2020, 00:08

TIRANË- Nga SHBA, aty ky ndodhet prej 4 ditësh, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se vaksinimi anti-COVID në Shqipëri do të nisë në dy muajt e parë të vitit 2021. Në treg do të jetë jo vetëm vaksina Pfeizer, por po bëhen përpjekje për të marrë edhe dy llojet e tjera të prodhuara nga Moderna dhe Astrazeneca.

Kreu i qeverisë ka deklaruar se takimi me bosin e  Pfeizer, Albert Burla i zhvilluar në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork ishte shumë pozitiv. Ndonëse e cilëson si një sfidë shumë të vështirë, ai premton se Shqipëria nuk do të mbetet pas krahasuar me vendet e tjera, nisur nga fakti që prodhimi i vaksinave është ende shumë i ulët krahasuar me kërkesat botërore.

Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë - një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse.

Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca.

Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t'ia dalim,pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat", shkruan Rama. 

b.ha./Shqiptarja.com