Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për kandidatin për kryetar bashkie në qytetin e Shkodrës në zgjedhjet e qershorit, Valdrin Pjetrin, ku ky i fundit akuzohet për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Valdrin Pjetri tashmë do të përballet me drejtësinë si një njeri i thjeshtë dhe nuk mund të konsiderohet zyrtar i lartë pasi nuk arriti ta merrte detyrën, dhe kjo e ka shpëtuar nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Pjetri hoqi dorë nga marrja e detyrës si kryebashkiak i Shkodrës pas akuzave të Partisë Demokratike lidhur me të shkuarën e tij në Itali.
Sipas Prokurorisë, Valdrin Pjetri, ish-kandidati i PS për Bashkinë e Shkodrës është arrestuar në 27 Janar 2003 në shtetin italian për drogë, dhe më pas është dënuar me 27 muaj burg dhe 1500 euro gjobë, ndërsa në 4 shkurt po të këtij viti është dëbuar nga shteti italian, gjë të cilën nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas kandidimit në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.