Vangjush Dako, ja e vërteta e përgjimeve / Pjesa e dytë

8 Qershor 2019, 16:10

Përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane 'Bild', Vangjush Dako i ka cilësuar si avantazh politik, që nuk ka ndikuar aspak në reputacionin e tij, përkundrazi! Në studion e "Repolitix" në Report Tv, kreu aktual i Bashkisë së Durrësit, Dako, i cili ka qenë kryefjalë e mediave javën e fundit për shkak të përgjimeve, ka mohuar që të ketë qenë duke folur me Astrit Avdylajn, kreun e  bandës së Shijakut. Një sajesë, e ka cilësuar Dako këtë telefontë, pas së cilës fshihet opozita, që synon që nëpërmjet tyre të legjitimojnë djegien e mandateve.

Gjithashtu, ai ka ngritur akuza të rënda për dy eksponentët e PD, Eduard Halimi, ministër i Drejtësisë asokohe dhe ish-deputeten Albana Vokshi. Sipas Dakos, teksa akuzojnë PS-në se ka lidhje me krimin, është vetë PD-ja që ka lidhje të ngushtë me persona me precedentë penal. Për këtë, kryebashkiaku ka sjellë në vëmendje fushatën e vitit 2013, ku sipas tij, Vokshi dhe Halimi janë shoqëruar dhe madje janë parë në lokal duke pirë kafe me një person të dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm dhe të kërkuar nga Policia e Shtetit.

Duke u ndalur tek sulmet e kreut të PAA, Agron Duka, Dako shprehet se e gjitha kjo bëhet për të mbuluar paaftësinë e tij për të marrë një rezultat minimal në Durrës, madje shkon deri aty sa thotë se "mund të ketë probleme mendore".

Në fund, kryebashkiaku thotë se pas 30 qershorit, karriera e tij politike nuk do të përfundojë.