Vdekja e ushtarakes, kryeministri letonez: Ditë e trishtuar, mirënjohje Shqipërisë

6 Maj 2019, 18:56

Kryeministri letonez Krišjānis Kariņš shpreh ngushëllimet për humbjen e ushtarakes shqiptare Zarife Hasanaj gjatë misionit të NATO-s.

Në një postim në rrjetet sociale, Krišjānis Kariņš thotë se kjo është një ditë e trishtuar, ndërsa uron shërim të shpejtë për dy të lënduarit.

"Një ditë e trishtuar për të gjithë ne për shkak të aksidentit tragjik në bazën ushtarake Adazi. Ngushëllimet e mia për familjen e një anëtari të Forcave të Armatosura Shqiptare, që humbi jetën.

Uroj një shërim të shpejtë të ushtarëve të tjerë të lënduar. Letonia është mirënjohëse për Shqipërinë për kontributin e saj në misionin NATO" shkruan ai.

Ushtarakja shqiptare Zarife Hasanaj, pjesë e kontigjentit të FA në misionin e NATO-s në Letoni,  ndërroi jetë nga shpërthimi i një mine, teksa ishte duke e çmontuar atë. Nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur edhe dy ushtarakë të tjerë, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.