Vendi gati për të emetuar Eurobondin e 5 në vlerën e 500 milionë eurove! Financat kërkojnë konsulent ligjor për emetimin e tij

24 Qershor 2021, 14:35

Eurobondi i pesti do të emetohet nga Qeveria këtë vit, me vlerë 61.890 miliardë lekë ose më shumë se 500 milionë euro. Marrja e borxhit të ri është parashikuar në ndryshimin e fundit të buxhetit ku është rritur financimi i deficitit buxhetor.  Financimi nga burimet e huaja nga 29.7 miliardë lekë që u parashikua në fillim, do të jetë 100.5 miliardë lekë.

Ndërkohë Ministria e Financave ka hapur edhe thirrjen për të gjetur konsulentin ndërkombëtar që do të asistoj qeverinë në këtë proces. Por në ftesën e bërë qeveria nuk do të ketë fokus vetëm tregun evropian por edhe tregun anglez dhe atë amerikan, pasi në dokument thuhet se këshilltari ligjor duhet të ofrojë ekspertizë në ligjin anglez dhe atë federal të letrave me vlerë në SHBA.