Vetëvrasja e 16-vjeçares/ Përse nuk flasin adoleshentët për problemet që kanë?

9 Maj 2019, 14:35

Historia tragjike e Adela Çaçit e cila vrau veten pas përndjekjes dhe kërcënimeve nga shoku i gjimnazit, tronditi mbarë opinionin publik. Historia e trishtë e 16-vjeçare riktheu edhe njëherë në vëmendje nevojën e një komunikimi më të mirë me adoleshentët, nga ana e prindërve, mësuesve, dhe psikologëve në mënyrë për të parandaluar raste të tilla fatale, të cilat kanë tendencë në rritje. Gjendjen e rënduar psikologjike të 16-vjecares që i dha fund jetës, askush nga familjarët, shoqëria apo mësuesit nuk e kishte kuptuar, deri në momentin që Adela mori vendimin tragjik për jetën e saj. Por mbi kë bie përgjegjësia?

Për sociologun Gëzim Tushi, procesi i edukimit të një fëmije duhet të jetë i integruar. Në raste të tilla përgjegjës nuk janë vetëm prindërit por edhe mësuesit që nuk arrijnë të kuptojnë kur nxënësit  tyre kanë shqetësime. Nga studio e Report Tv, sociologu u shpreh se shpeshherë indiferenca e mësuesve ka rezultuar kriminale.

 “Si ka mundësi që një mësues që jep mësim në një klasë, nuk e shikon nxënësin që duket i dëshpëruar, i deprimuar, e shikon vajzën atje që është e tronditur e traumatizuarqë po mendon projektin për të vrarë veten, ndërsa mësuesi vazhdon qetë, merr rregjistrin dhe ikën në shtëpi. Indiferenca është kriminale në këtë rast”, tha Tushi.

Një tjetër arsye është dhe mungesa e psikologëve në shkolla. Sociologu Gëzim thekson se procesi i njohjes për problemet e adoleshentëve është individual, dhe një psikolog me 1200 nxënës e ka thuajse të pamundur të kuptojë problemet e tyre.

 “Një psikologe dhe një punonjës social që punon me 1000 nxënës, 1200 nxënës, nuk ka mundësi të ketë dosjen e nevojave personale, të secilit fëmijë, situatën e secilit fëmijë është e pamundur.  Procesi i njohjes është një proces i individualizuar, i personalizuar”, tha ai.

Specialistja pranë sektorit të Programeve të arsimit parauniversitar, Tatjana Vucani shprehet se aktualisht, në arsimin bazë dhe të mesëm veprojnë 163 punonjës social, dhe 414 psikologë. Madje janë marrë masa që psikologët të shtohen në shkollat me më shumë nxënës.