Vetting në Politikë? Presidenti Meta te ‘5 Pyetjet': Do të krijonte një kakofoni pa fund

15 Tetor 2018, 21:43

Presidenti Ilir Meta është i ftuar sonte në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” për të folur për aktualitetin politik, kthimin e ligjit të Teatrit Kombëtar, por edhe për përplasjet mes shumicës dhe opozitës.

INTERVISTA E PRESIDENTIT ILIR META
Për të komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend ndodhem sot në selinë e Presidencës, në selinë e Kryetarit të Shtetit Zotit Ilir Meta. Zoti Meta është një kënaqësi e veçantë që ndodhem sot këtu.
Faleminderit për ftesën tuaj, për të qenë pjesë e emisionit tuaj dhe mirë se keni ardhur këtu në Institucionin e Presidentit!

Duket se keni një lloj tërheqjeje nga jeta e përditshme aktive politike, që kur jeni zgjedhur kryetar i shtetit. Jeni pak në sytë e opinionit publik, i cili më shumë ju shikon herë duke ngjitur majën e Jezercës, herë duke shkuar në Tropojë e herë duke shkuar në Valbonë. Pse keni zgjedhur të mbani këtë profil, Zoti President?
Në radhë të parë unë dua të konfirmoj edhe një herë tjetër vendosmërinë time për të bërë me përgjegjshmëri maksimale detyrën e presidentit, pavarësisht nga vështirësia, ndoshta edhe e juaj si gazetarë apo si analistë apo e gjithë të tjerëve për të më parë në pozicionin e presidentit, duke pasur parasysh të kaluarën time tepër aktive edhe politike edhe partiake.