Vettingu i policisë në gjykatë! Ish-drejtuesit e SHÇBA-së dhe gardistët kërkojnë rikthimin në detyrë

6 Dhjetor 2020, 12:59

TIRANË- Vettingu në Policinë e Shtetit, i cili deri më tani ka përjashtuar nga radhët e uniformave blu mbi 10 efektivë të cilët janë gjetur të papërshtatshëm për pasurinë, integritetin moral e profesional, përfundon në gjykatë.

Në Gjykatën Administrative janë regjistruar pesë padi të cilat kërkojnë të shfuqizojnë vendimet për përjashtimin e policëve nga detyra me argumentin se ka qenë një hetim administrativ jo i drejtë.

Referuar gjykatës ndër paditë e regjistruara janë ajo e Oltion Shehu, ish-Shef i Sektorit të Trajtimit të Ankesave në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA, Tiranë i cili është shkarkuar në nëntor të vitit 2019.

Ndër argumentet e Vettingut në polici për përjashtimin e Shehut ishte mungesa e eksperiencës për të drejtuar sektorin e SHÇBA-s.

Një tjetër padi e depozituar është ajo e  Andi Likaj i cili kërkon që Vettingun ndaj tij të mos e bëj Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, por SHÇBA-ja në një fazë të dytë.

Padia e kryepolicit Xhevahir Karaj depozituar në gjykatë kërkon që Vettingu për të të ndalet dhe të detyrohet komisioni të mbyllë hetimin e nisur ndaj tij pa vendim. Së fundmi Karaj ka qenë edhe drejtues i lartë në radhët e bluve pranë drejtorisë së kufirit.

Edmond Papaj nga radhët e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, struktura e cila heton sjelljet e policisë po ashtu kërkon rikthimin në detyrë pasi është përjashtuar.