U tha se ishte larguar drejt PS/ Avokati 'ndërron mendje': Vijoj të jem me LSI

28 Janar 2021, 10:02 | Përditesimi i fundit: 2021-01-28 10:10:15

TIRANË- Avokati Esmerald Xhafa duket se "ka ndërruar" mendje dhe ka zgjedhur që të vijojë të jetë me LSI, edhe pse shprehet që ka pasur përplasje për me mënyrën e organizimit dhe të sjelljes para fushatës elektorale.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, ai shprehet se do të vijojë të jetë pjesë e LSI-së, dhe nuk do t'i bashkohet PS-së në zgjedhjet e 25 prillit.

"Të dashur miq. Në lidhje me lajmin për largimin tim nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim më duhet tiu sqaroj se: Kam patur përplasje në lidhje me mënyrën e organizimit dhe të sjelljes para fushatës elektorale. Diskutimet e mia kanë qenë parimore, dihet botërisht që unë kam qenë pjesë e anëtarësisë së LSI,dhe nuk kam qenë pjesë e strukturave drejtësuese të kësaj force politike. Kam reaguar gjithmonë kur kam menduar se një veprim i caktuar ka qenë i gabuar si dhe kam ngritur zërin kundër çdo padrejtësie, kam protestuar,kam shprehur mendimin tim në çdo medium që kam patur mundësi të shprehem.

Mendoj se ndryshimi nuk vjen duke u sjellë arrogantë me strukturat dhe me ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për të rritur LSI që nga themelimi i saj deri më sot,si dhe nuk mendoj se duhet të vazhdojmë që të sillemi me votuesit si mbretër kur në fakt duhet të jemi shërbëtor i tij.

Nuk jam produkt i politikës dhe kurrsesi nuk mund të rri pa ngritur zërin kur mendoj se diçka është jo korrekte dhe në dëm të shoqërisë. Një shprehje e popullit thotë: "Nëse nuk ta dëgjojnë fjalën atje ku je,  është më mirë të largohesh". Vazhdoj të jem pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim", shkruan Xhafa në reagimin e tij.