Viktima e dytë me COVID-19, momenti kur ambulanca merr trupin e pajetë të 65-vjeçarit

18 Mars 2020, 12:08 | Përditesimi i fundit: 2020-03-18 15:56:01

TIRANË- Shënohet viktima e dytë nga koronavirusi në Shqipëri. Bëhet fjalë për një 66-vjeçar nga Lushnja, i cili prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë te Infektvi dhe mbahej në jetë me anë të aparaturave. Ai ishte i shtruar në spitalin "Shefqet Ndroqi" nga mushkëria dhe u infektua nga një i afërmi i tij që i erdhi për vizitë, që fshehu se kishte qenë në Itali disa ditë më parë. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se ai nga disa sëmundje shoqëruese vuante nga veshkat, zemra e probleme në mushkëri. 

"Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë pacienti i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ishte në gjendje të rëndë, në respirim të drejtuar në reanimacion. 66-vjeçari nga Lushnja prej disa ditësh ishte i shtruar në shërbimin Infektiv, në gjendje të rëndë. Pacienti vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale", njofton Ministria e Shëndetësisë. Viktima e parë u shënuar në Durrës, ku humbi jetën një 73-vjeçare. Aktualisht në spitalin e Infektivit janë të shtruar 24 pacientë (nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina, dy prej të cilëve janë në terapi intesive. Në total janë 9 mjekë të prekur, një në Durrës dhe 8 te Spitali "Shefqet Ndroqi", të cilët janë infektuar nga një vizitor i cili i kishte mbajtur të fshehtë informacionin se kishte qenë në Itali. Teksa dje erdhi një sinjal optimist nga Infektivi ku kontakti i parë me pacientit zero, nga ritestimi që i është bërë ka rezultuar negativ.