Viti i Ri pa fishekzjarrë, kreu i Zjarrfikëses Goxhaj: Po monitorojmë situatën

24 Dhjetor 2018, 14:38 | Përditesimi i fundit: 2018-12-24 15:20:53

Fishekzjarret natën e ndërrimit të viteve nuk do të hidhen nga qytetarët nga ballkonet e shtëpive të tyre si çdo vit, por vetëm prej institucioneve që organizojnë festimet në vendet e caktuara. Në një kohë kur qeveria ka vendosur ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve nga qytetarët, Drejtori i Zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj në një intervistë për Report Tv ngre shqetësimin se pavarësisht urdhrit për ndalimin e tregtimit të kapsollave, lëndëve piroteknike dhe fishekzjarreve, ka subjekte të cilat ende i tregtojnë. 

Nuk janë hequr fishekzjarret nga tregu, por ndonëse vite më parë tregtonin edhe subjekte të palincencuara, këtë vit tregojnë vetëm ato të lincencuara. Por ka ende subjekte që tregtojnë. Këto subjekte i kemi nën monitorim. Në treg ka fishekzjarre. Qytetarët janë informuar se këtë vit tregtimi i fishekzjarreve do jetë vetëm brenda normave dhe standardeve të vendosura nga Policia e Shtetit. 

Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i Zjarrfikëses

Nisur nga urdhri i fundit i qeverisë që ndalon përdorimin e fishekzjarreve nga qytetarët, Goxhaj thotë se ky vendim synon të ofrojë më shumë siguri për qytetarët gjatë festës së Vitit të Ri. Ai thotë se hedhja e fishekzjarreve nga institucionet do mbikëqyret nga policia dhe shërbimi zjarrfikës për të parandaluar në çdo moment incidentet e mundshme.