Vlorë/ 'O ma hape derën', fjalët e Shkëlzen Velajt para vrasjes! Autorët e qëlluan te dera shtëpisë

3 Qershor 2021, 16:04 | Përditesimi: 3 Qershor 2021, 16:04

O ma hape derën' ishin fjalët e fundit të Shkëlzen Velajt, 43 vjeç, para se të ekzekutohej me 15 plumba në trup nga 2 persona, ende të paidentifikuara. Ekzekutimi ndodhi 5 minuta para mesnatës së të mërkurës në qytetin e Vlorës. Në momentin që e ëma e 43-vjeçarit hapi derën, pa të birin të vrarë në tokë të mbuluar nga gjaku. Për të ishte tepër vonë, edhe pse ai u transportua në spital, plumbat kishin prekur organet jetësore duke rezultuar fatal për 43-vjeçarin.

Si ndodhi ngjarja? 43 vjeçari ka qenë duke hyrë në shtëpi, kur ka vënë re  s epo ndiqej nga një makinë e dyshimtë. Kjo ka bërë që ai të ndihej i rrezikuar për jetën e tij, pasi nuk ka fikur as makinën, por e ka lënë atë ndezur dhe ka ikur me vrap për t'u futur sa më shpejt në banesë. Por edhe 2 autorët e kanë ndjekur nga pas deri në katin e 5-të të pallatit dhe kanë zbrazur një karikator kallashnikovi duke qëlluar mbi 20 herë, ku 15 prej plumbave e kanë prekur në trup. Pas ngjarjes 2 autorët janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorë dhe në afërsi të fshatit Risili kanë braktisur makinën tip BMW pa targa të cilën e kanë djegur. Brenda në makinën e djegur policia ka gjetur dhe kallashnikovin me të cilin autorët qëlluan 43-vjeçarin. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 4 persona. Shkëlzen Velaj dukej se i ruhej një atentati të mundshëm, pasi në shtëpinë e tij kishte vënë kamera sigurie të cilat kanë kapur dhe momentin kur ai është ekzekutuar. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe përmes tyre pritet të zbardhë edhe ngjarjen e rëndë.

Shkëlzen Velaj nuk ishte me precedentë penal, ndërsa në familjen e tij nuk është viktima e parë pasi në 2015-n i vranë të vëllanë Ardi Velaj  në "Masakrën e Çoles". Pista e hetimit të vrasjes së 43-vjeçarit është fokusuar pikërisht te hakmarrja për vrasjet seri që kanë nisur nga kjo masakër.

'Masakra e Çoles' që nisi pas një sherri mes disa të rinjve në një kazino dhe mbetën të vdekur 3 persona, ka nxitur një seri vrarjes në qytetin e Vlorës përgjatë viteve, shumica prej të cilave ende pa autor. Në lidhje me ekzekutimet e fundit në qytetin e Vlorës kanë shkuar edhe forcat RENEA, ndërsa janë ngritur disa pika postblloqe për kapjen e autorëve.

b.ha./Shqiptarja.com