Vlorë, sekuestrohet veliera me flamur amerikan, pronari rus: Ndaluam nga moti i keq, radio nuk punonte

30 Tetor 2020, 16:20

VLORË- Veliera turistike që u konstatua dje në ujërat territoriale është sekuestruar nga Policia Kufitare deri në përfundim të hetimit, ndërkohë pronari i saj rus pretendon se ndalimi është absurd.

Pas urdhrit nga prokuroria, Policia kufitare e Vlorës e ka çuar mjetin turistik në pikën e bllokimit në Triport.

Veliera me flamur amerikan me emri 'Medusa Delawere' kishte në bordin e saj 4 shtetas rusë dhe ukrainas, të cilët pasi janë ndaluar dhe janë marrë në pyetje nga autoritetet.

Pronari i velierës së bllokuar, rusi Dmitriy Nikulin thotë se u detyrua të hynte në ujërat shqiptare për shkak të motit të keq dhe se radio nuk punonte.

'Ndalimi ishte absurd, moti i keq na detyroi të ndalonim në ujërat territoriale gjatë natës. Radiot detare nuk funksionojnë gjatë natës dhe vetëm në mëngjes arrita të kontaktoja me oficerët e policisë kufitare për të bërë procedurën, por ata na ndaluan menjëherë', thotë Nikulin.

Ashtu sic deklaruan edhe ditën e djeshme në polici, rusi pretendon se ishte nisur drejt Malit të Zi për të mësuar të rinjtë që të drejtojnë velierën.