Vlorë, sezoni turistik hapet para kohe! Mbërrijnë turistët e parë, optimizëm për një vit premtues

8 Maj 2021, 19:58

Turistët e parë kanë mbërritur në Vlorë, edhe pse sezoni veror nuk është çelur zyrtarisht. Ndryshe nga një vit më parë, ka më shumë shpresë dhe operatorët turistikë flasin me optimizëm.

Ata synojnë të konkurrojnë me vendet fqinje, si Mali i ZI dhe Greqia.

“Javën e ardhshme është java e hapjes zyrtarisht të sezonit turistik në Vlorë. Por që prej muajit prill ka pasur një fluks turistësh shqiptarë dhe të huaj. Me vaksinimin dhe rënien ndjeshëm të numrave të infektimit Shqipëria ka dalë nga vija e kuqe dhe ka shumë interes. Aktualisht kemi nga Ukraina dhe Bjellorusia. Mesi i muajit na tregon se si do të vazhdojë situata me Italinë dhe Poloninë’, tha  pwr Report Tv, Vasil Bedinaj.  

Shqetësim për kreun e operatorëve turistik, Vasil Bedinaj, mbetet mungesa e stafeve të kualifikuara në hoteleri dhe restorante.

“Problemi i madh është mungesa e stafit. Të gjitha subjektet kërkojnë punëtorë. Kjo është një pikë shumë stresuese, nuk e dijmë si do ia dalim këtë vit. Në kompaninë time janë minues 114 veta aktualisht”, tha ai.

Ndërkohë që menazheri Besmir Lulaj shprehet se “kemi hapur dyert edhe për punonjës të kombësive të tjera, duke filluar nga turq, indianë, filipinas dhe po arrijmë që me këto lloj mozaiku nga vendet që ne mund t’i përballojmë me pagat të jemi kompetitivë me rajonin”.