Voltana Ademi i refuzon mitingun në Shkodër, Rama: Mbase do 2 prill! Meta po i hedh benzinë zjarrit

20 Qershor 2019, 13:37

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, refuzoi kërkesën e Partisë Socialiste për të mbajtur takim elektoral në kryeqendrën e veriut, aty ku kryeministri Edi Rama këtë pasdite prezanton kandidatin për kryebashkiak të Shkodrë, Valdrin Pjetrin. Voltana Ademi tha se i bindet dekretit të Presidentit Ilir Meta që i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe nga ana tjetër thotë se në Shkodër nuk ka sheshe të lira publike për shkak se janë të zëna me aktivitete për sezonin turistik. Nga Kuvendit kryeministri Edi Rama i quajti këto episode që komunizmi në grahmat e fundit përdori ndaj vetë Partisë Demokratike të sapothemeluar.

"Sot kemi planifikuar takimin elektoral në Shkodër. Për herë të parë që nga vitit 1991 qysh se kemi nisur fushatën elektorale rishfaqet fenomeni i dëshpëruar në shëmtinë e vet i anti-mintingjashëve. Ka pasur Shqipëria dhe momente të rënda realisht por ka pasur konsensus mes forcave politike që nuk pengohet aktiviteti i tjetrit. Enveristët fanatikë të 91-shit që përpiqeshin në grahmat e fundit të enverizmit institucional t'i zinin rrugën partisë së sapolindur demokratike sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur totalisht busullën dhe sensin e misionit për të cilin lindi dhe që rrogëtarët e paguar nga taksat në nivelin vendor u përdor njësoj siç përdorte asokohe Partia e vjetër e Punës disa falanga njerëzish pa të ardhme. Ajo që është e trishtueshme është fakti se njësoj si në atë kohë kjo përpjekje nuk ka as shumicën e shqiptarëve dhe asnjë mik dhe partner ndërkombëtar në krah. përkundrazi, njësoj si shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe partnerët janë vendosmërisht kundër gjithë kësaj që ndodh. A nuk ju kujton kjo Haxhi Qamilin kur thoshte sa të kem Kavajën dhe Shijakun unë nuk (ai thoshte një fjalë që nuk është vendi për ta thënë) po e them me pyes (ai nuk thoshte pyes) për Francën dhe Anglinë", tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se demokratët ndoshta duan një 2 prill të dytë, ndërsa referuar sulmeve ndaj KZAZ-ve që kanë nisur nga bashkitë e drejtuara nga PD dhe LSI, kryeministri tha se është presidenti ai që po i hedh benzinë zjarrit, me dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve që ngjalli  përplasje të forta institucionale.

"Pjesë trishtuese është përdorimi i nëpunësve, i policëve bashkiakë që po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin, janë në shkelje flagrante të ligjeve. Janë në shkelje të ligjeve dhe pse në këtë farsë mund të ndihen të imunizuar nga ligji, jeta vijon edhe pas 30 qershorit. Mbase plani është për të bërë një 2 Prill tjetër sot pasdite, pasi historia ka ndryshuar se asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së. Ai që është në zyrën e Presidentit po i hedh benzinë zjarrit", tha Rama.

    No videos found.