Votimi në Kuvend/ Nga kriminalizimi i presionit psikologjik, ligji i pronave tek vijimi i aksionit të OFL-së

16 Prill 2020, 20:57

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot një seancë në kushte të jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme, sa i takon projektligjeve të miratuara. Gjatë kësaj seance janë miratuar 21 projektligje, shumica përmes akteve normative. Ligji më i rëndësishëm dhe prodhoi më shumë debate ishte ai për disa ndryshime në Kodin Penal. Përveç kriminalizimit të shkeljes së karantinës dhe dënimit deri në 8 vite burg për infektim me dashje, u miratuan edhe disa ndryshime për ndëshkimin e dhunës në familje, duke ndryshuar nenin 130/a i Kodit Penal.

Për dhunën në familje dënimi rritet deri në 3 vite burg, nga 2 vite që është aktual. Për herë të parë kriminalizohet edhe presioni psikologjik. Kjo vepër penale do të dënohet po aq sa rrahja. Ndërkaq, zgjerohet rrethi për veprën penale të dhunës në familje, duke përfshirë: vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave, vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka, e dashura dhe ish e dashura (lexo ketu draftin qe u miratua). Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, psikologjike, kur kryhet në sy të fëmijëve dhe përsëritet, do të dënohet nga një deri në pesë vjet burgim. Propozimi për të rritur dënimin deri në 10 vite burg u rrëzua.