"Vrasja e Azem Hajdarit", Fatos Klosi i përgjigjet Berishës: Vdekja e tij i interesonte Saliut

30 Shtator 2020, 09:45

Absurditet që nuk ja vlen të merresh me deklarata të tilla i ka cilësuar Fatos Klosi akuzat e drejtpërdrejta të bëra nga ish kryeministri Sali Berisha një ditë më parë se ishte ai që nxori në pritë Azem Hajdarin, i cili u vra mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.

I ftuar në emisioni "Repolitix", Fatos Klosi tha se Berisha ka 22 vite që bën deklarata të tilla, ndërsa shtoi se nëse kjo do të ishte e vertetë atëherë implikohet direkt Fatos Nano, pasi ishte kryeministri dhe se Klosi, vartësi  i tij si kreu i Shërbimit Sekret informativ.

"Në 22 vjet e kemi diskutuar kaq shumë këtë ngjarje sa s'ka mbetur gjë për të thënë. Më mirë do të ishte të mos reagoja fare. Habitem me median që merren me të dhe i kushtojnë kaq shumë rëndësi. Ky është problemi themelor që ai lejohet në media prej 22 vitesh të thotë ç'të dojë. I persekutuar në këtë deklaratë që ka bërë Berisha, është Fatos Nano jo unë. Unë isha vartës i Nanos. Nëse unë kam marrë përsipër një gjë kaq të madhe që është praktikisht e pamundur ta bëjë shteti, por nëse ka ndodhur atë e ka bërë Fatos Nano jo unë, se si ishte kreu i  shtetit", tha Klosi.

Se kujt i intereson vrasja e Azem Hajdarit, Fatos Klosi drejtoi gishtin nga Berisha për shkak të përplasjeve të brendshme që kishte me Azemin. Klosi rendi disa fakte kur tha se Shkodra e përdori vrasjen e Azem Hajdarit si pretekst për të bërë kryengritje dhe sjellë armatime në Tiranë, armatim i cli u fit brenda PD që të përdoren për rrëzimin e qeverisë.