Vrasja e Azemit / Akuzat e Berishës, Fatos Klosi: Nëse do ishin të vërteta implikojnë Nanon e jo mua

29 Shtator 2020, 21:51 | Përditesimi i fundit: 2020-09-29 22:04:37

Absurditet që nuk ja vlen të merresh me deklarata të tilla i ka cilësuar Fatos Klosi akuzat e drejtpërdrejta të bëra nga ish kryeministri Sali Berisha një ditë më parë se ishte ai që nxori në pritë Azem Hajdarin, i cili u vra mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.

I ftuar në emisioni "Repolitix", Fatos Klosi tha se Berisha ka 22 vite që bën deklarata të tilla, ndërsa shtoi se nëse kjo do të ishte e vertetë atëherë implikohet direkt Fatos Nano, pasi ishte kryeministri dhe se Klosi, vartësi  i tij si kreu i Shërbimit Sekret informativ.

"Në 22 vjet e kemi diskutuar kaq shumë këtë ngjarje sa s'ka mbetur gjë për të thënë. Më mirë do të ishte të mos reagoja fare. Habitem me median që merren me të dhe i kushtojnë kaq shumë rëndësi. Ky është problemi themelor që ai lejohet në media prej 22 vitesh të thotë ç'të dojë. I persekutuar në këtë deklaratë që ka bërë Berisha, është Fatos Nano jo unë. Unë isha vartës i Nanos. Nëse unë kam marrë përsipër një gjë kaq të madhe që është praktikisht e pamundur ta bëjë shteti, por nëse ka ndodhur atë e ka bërë Fatos Nano jo unë, se si ishte kreu i  shtetit", tha Klosi.

Se kujt i intereson vrasja e Azem Hajdarit, Fatos Klosi drejtoi gishtin nga Berisha për shka të përplasjeve të brendhsme që kishte me Azemin.

"Në komisionin parlamentar, Berisha tha që ishte Skënder Gjinushi. U përgjigj ai. Më pas tha Rexhep Mejdani që të zgjidhej sërish President. Unë kam menduar që u ka interesuar atyre që kanë pasur diçka. Ka nisur si hakmarrje. U interesonte dhe atyre që kanë pasur përplasje. Si Berisha", tha Klosi

Në lidhje me deklaratë se ai ka qenë në Himarë, Klosi tha se ishte në Maqedoni dhe jo për të ndërmjetësuar rrëzimin e qeverisë Nano siç thotë Berisha. 12 shtatorin e 1998, Klosi  deklaroi se ka qenë në Ohër që në mëngjes pasi u takua me të birin që jetonte në Sofje dhe kishte ardhur atje për t'u takuar pas disa vitesh.