TIRANË- Mënyra dhe mekanizmi i përdorur në vrasjen e ish efektivit Santiago Malko, përforcon edhe një herë dyshimet e një atentati të mirëorganizuar e mafioz. Burime të sigurta pranë grupit hetimor bënë me dije për Report Tv se makina e përdorur në ngjarje dhe e gjetur më pas e djegur në fshatin Ferras, si dhe targa e vendosur mbi të, rezultojnë të vjedhura në dy zona të ndryshme.
Burimet bëjnë me dije se mjeti tip Mercedez Benz rezulton të jetë denoncuar i vjedhur një vit më parë në zonën e Lezhës, ndërsa targa e vendosur në të AA 434 LX rezulton të jetë e vjedhur nga një tjetër makinë dhe e denoncuar në muajin Mars në zonën e Krujës.
Nga ana tjetër, grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së policisë shkencore për ekzaminimin që po i bëhen dy armëve të gjetura në makinën e djegur, nëse janë pikërisht ato të përdorura në vrasjen e 26 vjecarit Malko, apo janë lënë qëllimisht aty për të devijuar hetimet e policisë.
Deri më tani policia nuk ka asnjë person të arrestuar si autorë të vrasjes, e ndërsa mekanizmi i përdorur për ekzekutimin e tij, e bën edhe më të vështirë identifikimin e tyre. Santiago Malko u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e së martës teksa ishte duke lëvizur me mjetin e tij BMW në zonën e Porcelanit.
Pista kryesore qe po heton policia është ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtrohen edhe ajo e konflikteve të mëparshme për bastet sportive. Si dhe ajo e çështjes së drogës.
Për ekzekutimin e ish policit Santiago Malko në Tiranë është përdorur i njëjti mekanizëm me të cilin veprojnë bandat apo vrasjet e mirëorganizuar. Edhe në këtë ngjarje grupi hetimor konstaton se nga autorët është përdorur një makinë e vjedhur në Lezhë një vit më parë e ndërsa targat e vendosura nw tw janw vjeshur në muajin mars në Krujë. Por edhe armët e lëna në mjetin e djegur nga autorët pas ngjarjes duket se janë lënë aty për të devijuar hetimin.