Vrasja e Shkëlzen Kastratit, burg për Albert Zajan: Kam frikë, më dërgoni në burg tjetër

24 Mars 2021, 17:47

Nuk deshi të qëndronte në qelitë e burgut të Fierit. 37-vjeçari Albert Zaja, i vënë në pranga si i dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier, i druhet hasmërisë. Kërkesa e tij e vetme në gjykatë ishte ta transferonin në burgun e Vlorës derisa e vërteta sipas tij të marrë zë. Megjithatë, Gjykata vendosi se i dyshuari duhet të qëndrojë në burgun e Fierit. 

Albert Zaja pretendon të jetë i pafajshëm, duke thënë se me 1 shkurt, kur Shkëlzen Kastrati u ekzekutua në makinën e tij në Fier, ai ka qenë në Vlorë së bashku me një shok, dhe më pas është kthyer në shtëpinë e tij, argumente për të cilat thotë se ka fakte.

Në seancën e kësaj të mërkure, Gjykata e Fierit rikonfirmoi masën e sigurimit personal të “arrestit me burg”, dhënë më herët në mungesë ndaj 37-vjeçarit për veprën penale vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.

Mbërritja në gjykatë ishte nën masa të larta sigurie, me prani të madhe policore, ndërsa vetë të dyshuarit vështirë t’i dallohej fytyra teksa hynte për në seancë, nga kapuçi në kokë dhe maska anti-Covid në fytyrë. 

Albert Zaja, u arrestua pak ditë më parë në Fushë-Krujë, ndërkohë që kishte edhe pistoletë me vetë, e cila i është sekuestruar nga policia. Sipas policisë 37-vjeçari kur ka parë se është rrethuar nga RENEA ka tentuar të fshehë në baltë armën dhe ka tentuar të largohet.

Të dyshuar të tjerë si bashkëpunëtorë të tij në këtë vrasje janë Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xhecuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, të cilët janë ende në kërkim nga policia. 4 të rinjtë, mësohet se janë një grup vrasësish me pagesë, të cilët e kanë ndjekur viktimën për afro 2 muaj në lëvizjet e tij, deri në ekzekutimin final.