Arrestohet në fshatin Larushk të Fushë-Krujës Albert Zaja, autori i dyshuar për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit në Fier më 1 shkurt, brenda makinës së tij.

Gazetari i Report Tv Sokol Dema, raporton se në momentin që është arrestuar, Zaja ka pasur një pistoletë me vete, e cila i është sekuestruar. Sipas policisë 37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga RENEA ka tentuar të fshehë në baltë armën dhe ka tentuar të largohet. Në video shihet dhe momenti kur ai shoqërohet nga efektivët pas arrestimit dhe është bërë i gjithi me baltë pasi ka tentuar të arratiset.

Të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij në këtë vrasje janë Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xhecuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, të cilët janë ende në kërkim nga policia. 4 të rinjtë, mësohet se janë një grup vrasësish me pagesë, të cilët e kanë ndjekur viktimën për afro 2 muaj në lëvizjet e tij, deri në ekzekutimin final.

Ndaj 4 personave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën "Arrest në burg", për  veprën penale "Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Si ndodhi ngjarja?

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba, njërin prej tyre në kokë, paraditen e 1 shkurtit, në fshatin Sheq në Fier brenda makinës së tij. Ai ka qenë në lëvizje me makinë, është qëlluar nga një person nga një makinë tip 'Range Rover'. Kastrati ka ecur disa metra duke u përplasur me një makinë tjetër që po kalonte aty.Të gjitha hetimet janë përqendruar tek hakmarrja, për shkak të së kaluarës së tij dhe të vëllait.

Pse grupi hetimor ka dyshime për një hakmarrje? 5 vite më parë është tentuar të vritet në atentat Klemend Kastrati, vëllai i Shkëlzenit. Nga ajo ngjarje humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Eliminimi i tij ishte për hakmarrje pasi nga hetimet e kryera në atë kohë ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i implikuar në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një sherri makinash, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012. Shkëlzen Kastrati u ekzekutua kohën kur po shkonte në lokalin e tij në Sheq, lëvizje që e kryente çdo ditë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
I ulur në gjunjë dhe i bërë gjithë baltë, momenti kur shoqërohet nga RENEA ekzekutori i Shkëlzen Kastratit pas arrestimit

Ky është momenti kur Albert Zaja i dyshuar si ekzekutori i Shkëlzen Kastratit, shoqërohet nga RENEA pas arrestimit të tij.

 

Ora 18:33
Arrestimi i ekzekutorit të Shklëzen Kastratit, policia jep detaje: Kur u rrethua nga efektivët tentoi të fshehë pistoletën në baltë dhe të arratiset

Policia jep detaje lidhur me arrestimin e Albert Zajës, ekzekutorit të Shkëlzen Kastratit në Nikël të Fushë-Krujës.

37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet , por është kapur dhe prangosur nga Policia.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar "Nikla".

Operacioni nga Forcat Speciale "RENEA".

Kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati  ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë që e posedonte 37 vjeçari.

Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së datë 01.02.2021 dhe kapjen e autorëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore  dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për vendodhjen e një prej autorëve të vrasjes së  shtetasit Shkëlzen Kastrati, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar "Nikla".

Në kuadër të operacionit , në fshatin Larushk  të Krujës,  Forcat Speciale RENEA bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e  shtetasit Albert Zaja.

37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet , por është kapur dhe prangosur nga Policia.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale  ka vendosur në mungesë për këtë shtetas masën e sigurisë  "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Operacioni  vijon për kapjen e  autorëve të tjerë të kësaj ngjarje.