Vrau dy vëllezër në Krujë, kush është Roland Pula, u dënua 2 vite burg për 3 akuza

5 Qershor 2020, 12:06

Roland Pula, njeriu që po kërkohet nga policia e Krujës, si autor i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve Gramoz dhe Xhentil Bardhi, rezulton me rekorde kriminale. Pula, njihet nga policia e Krujës, si person me precedentë penale, kryesisht në vjedhje dhe kultivim të lëndëve narkotike. Ai u arrestua në 2008, në 29 tetor 2010 Roland Pula u dënua nga gjykata e këtij qyteti me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Sipas burimeve, në bashkim të këtyre tre dënimeve, Roland Pula është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.

Këtë masë dënimi rezulton se Pula e ka kryer gjatë qëndrimit në ambjentet e paraburgimit në Fushë-Krujë, duke sjellë lirimin e menjëhershëm të tij, në muajin nëntor 2010. Burimet nga policia dhe prokuroria e Krujës, thonë se Roland Pula, gjatë kësaj kohe ka udhëtuar disa herë në Itali dhe Gjermani, ku besohet se ka kryer një sërë vjedhjesh në këto shtete. Por deri në këtë fazë të hetimit, asgjë nuk ka të provuar dhe dokumentuar nga institucionet përkatëse. Roland Pula, jo vetëm që ka pasur njohje me dy vëllezërit viktima, Gramoz dhe Xhentil Bardhi por ka shumë dyshime se ata kanë bashkëpunuar në kultivimin e drogës.