Dy vëllezër u ekzekutuan me armë zjarri kallashnikov mbrëmjen e së enjtes në fshatin Gramëz të Krujës. Viktimat janë Gramoz dhe Xhontil Bardhi 34 dhe 24 vjeç. Dy vëllezërit u qëlluan me kallashnikov, ndërsa ndërruan jetë rrugës për në spitalin e Traumës. Mbrëmjen e djeshme pas sherrit që nisi në lokalin e fshatit, autori u zuri pritë pranë shtëpisë në errësirë duke i qëlluar me breshëri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:25 e ndërsa policia ka identifikuar autorin, bashkëfshatar i viktimave Roland Pula 32 vjeç, për kapjen e të cilit u angazhuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës dhe 2 dronë nate. Policia gjeti të braktisur pranë pompave të ujit në fshat makinën e autorit ku shumë afër ka edhe banesën, ndërsa vijon krehja e zonës për të bërë të mundur arrestimin e 32-vjecarit. 

Autori Roland Pula ka qenë arrestuar në 2008, ndërsa 2 vite më pas ka dalë nga burgu pas dënimit për tre akuza, armëmbajtje, plagosje dhe kanosje. Roland Pula njihet në zonë si person mjaft problematik. Por cili është shkaku i vrasjes? 

Report Tv mëson se një dekadë më parë vëllai i dytë i viktimave plagosi me thikë xhaxhanë e autorit. Për krimin, ai kreu dënimin dhe doli nga burgu. Dy familjet kanë pasur përplasje të vazhdueshme për këtë ngjarje dhe asnjëherë lidhje miqësore. Madje, dy palët janë konfliktuar dhe rrahur me njëri tjetrin edhe më parë.

Gramoz Bardhi ishte i martuar. Ai la nusen dhe dy vajza të vogla. Familja Bardhi kishte 4 djem. Gramozi dhe Xhontili u vranë mbrëmë, ndërsa 2 të tjerët ndodhen jashtë vendit. Prindërit e dy viktimave kanë hapur sot dyert e mortit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:11
Vrasja e vëllezërve në Krujë! Banori i fshatit: Jemi të tronditur, ishin njerëz të mirë (VIDEO)

Ekzekutimi i dy vëllezërve tronditi mbrëmë Krujën. Një banor i fshatit u shpreh për Report Tv se dy vëllezërit kanë qenë njerëz të qetë, familjarë dhe jo problematikë. "Dy viktimat i kam njohur për djem të mirë, qoftë i pari 35-vjeçari, burrë i martuar me fëmijë, në punën e tij, ai tjetri ka qenë në shkollë. Njerëz të qetë. Për mua nuk kanë paraqitur asnjëherë problem.

Për sherrin nuk e di, vetëm kur e mora vesh kur u vranë. Unë punoj në mjekësi, dhe vetëm kur më lajmëruan se ka ndodhur kjo gjë, për t'u ardhur në ndihmë njerëzve në shtëpi. Shkakun nuk e di. Jemi të tronditur, është ngjarje e rëndë, të ikin dy pjesëtarë të një familje. Kur të sëmuret fëmija një natë të dhemb zemra, jo të ikë fëmija" tha ai.

Ora 10:13
FOTO/ Ja kush është i riu që vrau mbrëmë dy vëllezërit në Krujë

Report Tv publikon foton e autorit të vrasjes së dyfishtë mbrëmjen e djeshme në Krujë, i cili është Roland Pula 32-vjeç. Pula është ende në kërkim nga policia.

Ora 09:26
U vra mbrëmë! Një nga vëllezërit mbaroi shkollën për prift, ipeshkvi i pikëlluar: Lamtumirë

1591345687_gjergjmeta.jpeg
Report Tv mëson se Xhontil Bardhi 24-vjeç, njëri nga dy vëllezërit që u ekzekutuan mbrëmë në Krujë kishte ndjekur dhe mbaruar seminarin e priftërinjve në Shkodër dhe gjatë pauzës 2 vjeçare që i jepet për t'u menduar dhe vendosur nëse pranon që të bëhen apo jo prift ka hequr dorë.

Pas ngjarjes së mbrëmshme ka reaguar i pikëlluar edhe Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit Dom Gjergj Meta. "Sa shumë gjana kisha me të thanë sot more Gjon. Por për tash po te them vetëm lamtumirë! E me fal që nuk munda me mbërritë në kohë ...Lamtumirë Gjoni i mirë! Lutju Zotit për ne" shkruan ai.

Ora 08:09
Vrasja në Krujë, pas sherrit në lokal, autori u bëri pritë pranë shtëpisë, zbulohet konflikti një dekadë më parë (VIDEO)

Report Tv mëson se autori Roland Pula pas sherrit në lokal ka shkuar ka marrë armën kallashnikov dhe u ka zënë pritë dy vëllezërve pranë banesës duke i qëlluar me breshëri më pas u largua me shpejtësi në errësirë. Sipas burimeve nga Kruja, mësohet se një dekadë më parë vëllai i dytë i viktimave plagosi me thikë xhaxhanë e autorit. Për krimin, ai kreu dënimin dhe doli nga burgu. Dy familjet kanë pasur përplasje për këtë ngjarje, por mësohet se më pas janë sheshuar. Pavarësisht këtij fakti, konfliktet mes dy vëllezërve dhe autorit kanë qenë të vazhdueshme, teksa të dy ishin të skeduar për vjedhje dhe grabitje.

Ora 07:35
FOTO/ Ja kush janë dy vëllezërit që u vranë në Krujë, konflikti i vjetër, sherri nisi në lokal


Report Tv publikon fotot e dy vëllezërve që u ekzekutuan mbrëmjen e djeshme me armë zjarri në Krujë. Gramoz dhe Xhontil Bardhi u qëlluan me armë zjarri nga Roland Pula dhe ndërruan jetë rrugës për në spital. Report Tv mëson se viktimat dhe autori janë përplasur disa herë ndër vite me njeri tjetrin, kanë rrahur e plagosur njeri tjetrin herë pas herë, pra konflikti ishte i vjetër, ndërsa mbrëmë kulmoi. Mbrëmjen e djeshme sherri ka nisur në një lokal në fshatin Gramëz fillimisht me fjalë, më pas Pula i qëlloi me armë zjarri. Të dy palët janë të skeduar për vjedhje dhe grabitje. 

Ora 23:59
Ekzekutimi i dy vëllezërve në Krujë/Identifikohet autori! Kontrolle me dron për kapjen e tij...gjendet makina e braktisur

Autor i ekzekutimit të dy vëllezërve në Krujë është Roland Pula, i konfirmuar edhe nga Policia. Mësohet se është gjetur pak metra nga vendi i ngjarjes edhe makina e autorit, e ndërsa kanë filluar kontrollet me dron për kapjen e autorit. Sipas policisë, shkak kanë qenë konflikte të vjetëra. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në vendngjarje ka shkuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. "Identifikohet në kohë rekord autori i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve në Gramëz të Krujës. Autori është Roland Pula 32 vjeç nga Kruja. Dy Drone që filmojnë dhe në erresirë po kontrollojnë zonën. Gjëndet makina e autorit të dyshuar të vrasjes. Makina u gjet te pompat e ujit në Gramëz te Krujës.Forcat e Policisë së Krujës, DVP Durrës, FNSH e Renea në ndjekje të autorit.Vijon krehja e zonës.Vrasja dyshohet për një konflikt të vjetër", njofton policia.

Makina e autorit