Vrau Haxhollin në shtëpinë e Marsida Qatjes/ Lirohet nga qelia ish-shefi i burgut, gjykata vendos detyrim paraqitje: E bëri për vetëmbrojtje

11 Prill 2020, 18:20

KAVAJE-Gjashtë muaj pas vrasjes lirohet nga qelia ish-shefi i sigurisë së burgut në Durrës Bledar Toçi, njeriu që ekzekutoi me armën e shërbimit Dritan Haxhollin, brenda ambienteve të shtëpisë së Marsida Qatjas, raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta. Gjykata pranoi kërkesën e tij duke ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje për shkak se ndryshoi edhe akuzën për Toçin.

Pas ngjarjes ish-shefi i sigurisë së burgut fillimisht u akuzua për “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “vrasje në kapërcim të vetëmbrojtjes së nevojshme”, por pas dëshmive dhe hetimeve gjyqtari Genti Dakolli pranoi kërkesën për të ndryshuar akuzën nga “vrasje në kapërcim të vetëmbrojtjes së nevojshme” në "vrasje për vetëmbrojtje". Për këtë arsye, në fund gjyqtari ka pranuar edhe kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje dy herë në muaj. Në vendimin e gjyqtarit për ndryshimin e masës së sigurisë, sipas gazetarit të Report Tv në Durrës, Artur Korriku ka ndikuar edhe situata nga COVID-19.