Vrau ish-gruan gjyqtare, dënohet me burg përjetë Fadil Kasemi

17 Janar 2019, 13:53 | Përditesimi i fundit: 2019-01-17 17:58:49

Fadil Kasemi, vrasësi i ish-bashkëshortes së tij gjyqtare, Fildes Hazizi, është dënuar këtë të enjte nga Gjykata e Krimeve të Rënda me dënim të përjetshëm.

Ndonëse avokati Ilia Ilia ka kërkuar lehtësimin e masës së dënimit, duke kërkuar nga gjykata një dënim me 25 vite burg, Fadil Kasemi duket se do të kryejë një burgim të përjetshëm për krimin e ndodhur më 31 gusht të 2017-ës. 

Vet ai është shprehur gjatë seancës gjyqësore se është penduar për krimin, ndërkohë që, ka kërkuar të merren parasysh edhe motivet që e kanë shtyrë atë drejt vrasjes së ish-bashkëshortes, si ndalimi për të takuar fëmijët, tradhtia bashkëshortore dhe investimet e bëra karshi saj. 

Gjyqi fillimisht ishte përcaktuar më datë 8 janar por u zhvendos për shkak se avokati mbrojtës i Fadil Kasemit, nuk kishte përgatitur konkluzionet përfundimtare për të bërë mbrojtjen e Kasemit. Gjykata mori në administrim përpara 9 ditëve provat shkresore për gjendjen psikike të Fadil Kasemit dhe po ashtu edhe foto ku demonstroheshin marrëdhëniet familjare. 

Pretenca për Fadil Kasemin u dha më datë 27 dhjetor, pasi organi i akuzës kërkoi burgim të përjetshëm për Kasemin. Kasemi u vendos në hetim pasi në fund të muajit gusht qëlloi tre herë me pistoletë gjyqtaren Fildes Hazizi, teksa po dilte nga një qendër estetike në rrugën "Hoxha Tahsim".

Çështja e zgjatur prej më shumë se një viti e gjysmë përfundoi pas 24 seancash, ku nuk munguan mbi 20 dëshmi, midis të cilave edhe të personit që u kërcënua me armë nga Kasemi që të largohej nga vendi i krimit si edhe të fëmijëve të çiftit. 

Vrasja e gjyqtares zbuloi edhe disa skandale të drejtësisë. Përpara 4 viteve, Kasemi tentoi ta vriste ish-bashkëshorten në Durrës, por e ndaluan fëmijët dhe gjykata në atë kohë e dënoi vetëm për armëmbajtje pa leje dhe plagosje të lehtë, por jo për tentativë vrasje.