Vritet në mes të Tepelenës biznesmeni 52-vjeçar! Viktima i përfshirë më parë në konflikte për çështje konkurrence!

1 Qershor 2021, 22:51 | Përditesimi: 1 Qershor 2021, 22:53

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Tepelenë, ku për pasojë ka humbur jetën një 52-vjeçar. Viktima është identifikuar si Çajup Selimi, i cili u qëllua me pistoletë në mes të qytetit, ndërsa nuk mundi t'i mbijetonte plagëve të marra duke ndërruar jetë në spitalin Rajonal Gjirokastër.

Ndërkohë, gazetari i "Report Tv", Pirro Nase bën me dije se Policia ka identifikuar dhe ka lokalizuar autorin e dyshuar. Mendohet se ai është izoluar në një pallat në brendësi të Tepelenës, ndërsa policia ka rrethuar lagjen për të bërë të mundur kapjen e tij.

Selimi rezulton pronar i një biznesi në qytet, ndërsa më parë ka qenë i përfshirë edhe në disa konflikte për çështje konkurrence. Ai tregtonte miell, materiale ndërtimi dhe artikuj të tjerë të ndryshëm.

Në vitin 2018 Selimi  u konfliktua me dy persona, të cilët e goditën e atë me mjete të forta. Në atë kohë, familjarë të Çajupit patën deklaruar se ai ishte sulmuar edhe 4 herë të tjera.

Për ngjarjen në vitin 2018 u ndalua Risiano Abedini, po nga Tepelena. Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm, por nuk dihet ende nëse ngjarja e sotme ka lidhje pikërisht me konkurrencën në biznes. Për momentin nuk bëhen ende me dije të tjera detaje në lidhje me ngjarjen.

b.ha./Shqiptarja.com