Xhaçka uron Ditën e Europës: Ne kemi të gjithë vullnetin politik për të mundësuar integrimin në BE

9 Maj 2021, 09:47

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar Ditën e Europës, duke shprehur besimin se e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit do të jetë në Europë dhe se nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari. Me një videomesazh, Xhaçka shprehet se rrugëtimi i BE në këto 7 dekada, nuk ka qenë një fushë me lule dhe se projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit. Xhaçka shprehet se Shqipëria ka të gjithë vullnetin politik për të punuar për integrimin në BE.

"71 vjet më parë, Robert Schuman, prezantoi deklaratën e tij historike, ku propozohej krijimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Ishte një hap i guximshëm dhe largpamës, të cilin Schuman dhe vizionarët e atij që sot e njohim si “Bashkimi Evropian”, e ndërmorën për të hedhur themelet e një bashkëpunimi politik dhe ekonomik, të bazuar mbi mirëkuptimin dhe solidaritetin, dëshirën dhe paqen afat-gjatë për të rindërtuar së bashku Evropën e dërrmuar nga lufta, në mënyrë që Kontinenti të mos njihte më kurrë, si më parë, konflikte të përgjakshme.

Sot, ajo ëndërr dhe ai vizion vazhdon edhe më aktuale se kurrë më parë. Historia jonë e përbashkët na mëson se paqja dhe mirëqenia dhe mënyra e të jetuarit sipas standardeve më të larta dhe vetë demokracia që i prodhon ato, nuk mund të merren të mirëqena. Deviza e kohës sonë, edhe në këtë pjesë me zemër të re të kontinentit të vjetër, Shqipërisë, mbetet vizioni i baballarëve të Unionit, i mbështetur në solidaritet dhe veprim të përbashkët, për ta çuar përpara këtë projekt politik, duke përfshirë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, me një perspektivë të qartë në BE, duke e bërë kështu triumfues projektin në të gjithë kontinentin.