‘Xhisiela’/ Meta në Report Tv: Përgjegjësit të vihen para përgjegjësisë

15 Tetor 2018, 21:47

Presidenti Ilir Meta gjatë intervistës në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ duke komentuar rastin ‘Xhisiela’ kërkoi që organet e drejtësisë të nxjerrin para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin pa dallime.

Letra e Nuhut ka mbërritur në tavolinën time vetëm një ose dy ditë përpara se unë të nisesha për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra nga mesi i shtatorit. Janë kërkuar të gjitha sqarimet dhe ky është një proces që vazhdon lidhur me çështjen në fjalë. Por mendoj që çështja është delikate dhe e mprehtë sepse në rast se nuk sqarohet në mënyrë të besueshme dhe transparente, do të krijojë një dyshim të madh për të ardhmen e mënyrës së funksionimit të shtetit ligjor, të Policisë së Shtetit, të Prokurorisë dhe të raporteve të Ekzekutivit me to.

Dhe, së dyti, sqarimi i saj në mënyrë të plotë dhe të besueshme do të kontribuojë në rritjen e besimit te këto institucione, por edhe në mos përsëritjen e ngjarjeve të tjera. Çfarë që do të thotë kjo? Nuk mund të jap sot asnjë vlerësim konkret, por në rast se qytetarja ka qenë e detyruar, sipas opinionit publik, të bëjë disa denoncime në institucione të ndryshme të policisë, atëherë është e rëndësishme që të bëhet një analizë përse ka ndodhur kjo gjë. Mjafton një qytetar të bëjë denoncimin në stacionin më të afërt të policisë dhe ai duhet të trajtohet me përgjegjësi, apo në rast se oficeri në fjalë ka kërkuar mbrojtje pasi është kërcënuar dhe një mbrojtje e tillë nuk i është dhënë.