Zbardhet vendimi/ Gjykata: Saimir Tahiri fajtor si ministër...sepse nuk ka parandaluar trafikun e kanabisit!

28 Tetor 2019, 17:44

TIRANË - Gjykata Krimeve të Rënda ka zbardhur pas 39 ditësh vendimin për ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili u dënua me 3 vite për shpërdorim detyre. Sipas vendimit të Gjykatës, shpërdorimi i detyrës u konkretizua në fakt që si ministri i Brendshëm, Tahiri nuk arriti të parandalojë fenomenin e kanabis duke mbajtur njëkohësisht kontakte me vëllezërit Habilaj, të lidhur me trafikun e drogës.  Por në të njëjtën kohë gjykata thekson se prokuroia nuk ka provuar që ish-Ministri ka bashkëpunuar me grupin kriminal apo qoftë edhe të ketë marrë lekëe dhe dhurata prej tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka shfrytëzuar të gjithë afatin ligjor, në limitin e tij, për të zbardhur vendimin e dënimit ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, vendim i marrë më 19 shtator. 39 ditë pritje, kanë bërë që tre gjyqtarët Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka të dalin me 140 faqe vendim të zbardhur, përmes të cilit e dënuan ish-ministrin Tahirime 3 vite shërbim prove dhe 3 vite pa të drejtë për të ushtruar funksione publike. Dënimi u mor vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa ranë akuzat e trafikut të drogës në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal, mbi të cilat prokuroria kishte kërkuar që Tahiri të dënohej me 12 vite burg (8 vite përmes gjykimit të shkurtuar).

Vendimi me 140 faqe është dorëzuar këtë të hënë në sekretarinë e Gjykatës, dhe Report Tv e disponon të plotë.

Siç argumenton gjykata në faqen 134 të këtij vendimit Saimir Tahiri "me mbajtjen e lidhjeve të pashpjegueshme plotësisht nga pozicioni i tij si ministër i Brendshëm, me të pandehurin në procedim penal Moisi Habilaj, në kushtet e tilla që këto lidhje të tilla me Ministrin e Brendshëm nuk janë të panjohura, kanë krijuar premisë për grupin kriminal të infiltrohej në strukturat e Policisë së Shtetit".

Ndërsa në faqen 122 të vendimit thuhet se për sa kohë "nuk vërtetohet dhënia e dhuratave dhe shumave të parave për të pandehurin, Tahiri dhe familjarëve të tij, si përfitime për mbështetjen e referuar, si dhe nuk provohet një marrëveshje e Tahirit me Moisi Habilajn etj, për të kryer veprat penale kultivim e trafikim narkotikësh".

Argumenti mbyllet me: ‘’në vlerësimin e kësaj gjykate nuk vërtetohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm bashkëpunimi dhe qenia e të pandehurit Tahiri pjesëmarrës dhe anëtar i grupit kriminal siç e kërkon procedura dhe kodi penal.” 

Por sipas gjykatës Tahiri si ish ministër lidhej me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit e veçanërisht të veprimtarive të paligjshëm që lidhet me të.

Përdorimi i automjetit Audi me targë AA 003 GB nga Moisi Habilaj, të cilin Tahiri ja kish shitur me kontratë noteriale vëllait të tij Artan Habilaj si dhe skafi që përdorte ministri Tahiri të cilin Habilaj kishte udhëtuar duke e dërguar për remont në Itali, cilësohen nga gjykata si kontaktet dhe afrimiteti që ish ministri kish patur me Moisi Habiljan.

Për Moisi Habilajn dhe grupin e tij kriminal sipas gjykatës ka patur informacion edhe policia shqiptare si dhe partnerët italian të Guarda di finazas të cilët me raportet e tyre të marra nga monitorimi ajror vunë në lëvizje Policinë e Vlorës për të prishur parcelat me hashash edhe pse policia e Vlorës s’kishte dijeni por ndërhynte në raste sporadike. Në faqen 133 thuhet se aktiviteti kriminal i kultivimit të drogës në Vlorë përgjatë 2016 ishte masiv, kjo e faktuar edhe me sekuestrimin në banesën e Armndo Kocerrit pjesëtarit të grupit të Moisi Habilajt 4 ton canabis  në Babicë.

Një tjetër fakt i dijenisë së Tahirit sipas gjykatës për aktivitetin kriminal të Habilajve ishte komunikimi i tij i shpeshtë me drejtorin e policisë Jaled Çela plot 673 telefonata në dy vite si dhe komunikimet e Evi Robos drejtor në ministrinë e brendshme me Moisi Habilajn me 4 telefonata dhe 226 mesazhe.

Vendimi i Gjykatës

Pas dy vitesh hetime, nga nëntori i 2017-ës, Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi të gjitha akuzat e ngritura duke e dënuar vetëm për shpërdorim detyre, një vendim prej të cilit, ai nuk do të bëjë asnjë ditë burg!

Gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg për këtë akuzë të re që në gjuhën juridike quhet, kualifikim i veprës penale: Shpërdorim të detyrës. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim, gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, për 3 vite, ish-ministri Tahiri nuk duhet të ushtrojë funksione publike.

"Beteja" Prokurori-Tahiri ne Apel

Saimir Tahiri u detyrua të ankimojë vendimin e dënimit në Gjykatën e Apelit, ende pa pasur në dorë vendimin e zbardhur të gjykatës, për të mos djegur afatin 15 ditë pas vendimit për ankimim të vendimit. Pas veprimit të Tahirit më 3 tetor, një ditë më pas, më 4 tetor, prokuroria për Krime të Rënda ankimoi vendimin e Gjykatës.