Zbardhet vendimi për pushimin e çështjes 'lobimi rus për PD'/ Gjykata rrëzon deklarimet e Muzin pa marrë dëshminë e tij

17 Janar 2020, 17:29

TIRANE- Report Tv zbardh vendimin e gjykatës që pushoi çështje për dosjen e “dosje të lobimit rus të PD”  të gjyqtarit Lazër Sallaku duke rrëzuar akuzat kundër Lulzim Bashës, ish-sekretarit të përgjithshëm Arben Ristani dhe financierit të partisë Ilir Dervishi.  Në 41 faqe vendim të zbardhura nga gazetari Arsen Rusta thuhet se nuk ekziston fakti penal, ndërsa sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se PD nuk ka pasur asnjë kontratë lobimi me kompaninë Biniada Trade.

Në vendimin e gjykatës thuhet se kontrata e Muzin me Biniada Trade nuk ka lidhje me interesa të ndonjë partie politike, ndërsa deklarata e tij se ka marrë 500 mijë dollarë nga PD dhe 150 mijë dollarë nga Biniada Trade nuk është quajtur besueshme. Sipas gjyqtarit Lazër Sallaku deklarimi i tij nuk provohet me dokumente dhe për rrjedhojë nuk mund t'i nënshtrohet vlerësimit të gjykatës.

Akuzat kanë të bëjnë me një shumë prej 650.000 dollarësh, të paguara në 2017 lobistit amerikan Nikolas Muzin për llogari të Partisë Demokratike, por këtë shumë PD nuk ka deklaruar asnjëherë se e zotëronte. Gjyqtari Lazër Sallaku, nuk i gjykon të mjaftueshme si prova as dokumentet zyrtare të Departamentit amerikan të Drejtësisë, të cilat faktojnë disbursimin e atyre 650.000 dollarëve në emër të Partisë Demokratike dhe të padeklaruar në Shqipëri.

Prokuroria nuk e ka marrë në pyetje asnjëherë lobistin amerikan Nikolas Muzinin të cilit iu paguan 650.000 $, megjithëse ai ishte një dëshmitar themelor për të sqaruar përgjegjësitë e mundshme të të pandehurve dhe gjyqtarit Lazër Sallaku e mbylli çështjen para se Muzin të fliste.