Zbulohet pakujdesia me avionin e 'Blue Panorama' që ngjalli panik mes 136 pasagjerëve

25 Shkurt 2019, 10:05

Autoriteti i i Aviacionit Civil thotë se ulja emergjente e avionit "Blue Panorama" dje në mëngjes, erdhi për shkak përhapjes së tymit dhe erës së keqe. Gjithçka ndodhi pasi solucioni larës i motorit të avionit, proces që kryhet një ditë para nisjes, ende nuk ishte tharë plotësisht. Avioni "Blue Panorama" me 136 pasagjerë, dje bëri ulje emergjente në Rinas, ndërsa udhëtarë në këtë fluturim treguan për Report Tv, momentet e tmerrit që kaluan, mes të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra shtatzëna.

"Më datë 24 Shkurt 2019 avioni i kompanisë Blue Panorama, nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orën 07.38 dhe me destinacion qytetin e Ankonas, Itali, ka bërë ulje të detyruar për shkak të konstatimit të tymit dhe një aromë të rëndë në kabinë pak pas ngritjes. Avioni është rikthyer menjëherë në Aeroport dhe është ulur pa probleme në orën 07:53.

Ekspertët e operimit ajror të Autoritetit të Aviacionit Civil, bënë mbikqyrjen nga afër të punës së teknikeve të avionit për gjetjen e shkaqeve të kësaj ngjarje pas uljes. Nga raportimet paraprake dyshohet që për shkak të larjes së motorit si pjesë e mirëmbajtjes së programuar një ditë më parë, solucioni i larjes nuk ishte tharë tërësisht, çka ka sjellë edhe tymin dhe erën e rëndë në momentin e ndezjes dhe nisjes.